Vendimi për hapjen e urës që ndan Mitrovicën, kryetari Atiq konfrontohet nga Arsenijeviq

Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, me propozimin e Aida Ferati-Dolit, kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi Lumin Ibër.

Ura e Ibrit që u ndërtua për të bashkuar qytetin e Mitrovicës, u bë simbol i ndarjes në baza etnike.

Ky vend u kthye edhe në burim trazirash dhe konfliktesh që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Shumë përpjekje pati për hapjen e saj, por diçka e tillë nuk ndodhi.

Por gjithçka duket se të ndryshojë pas vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës të Veriut.

Për këtë ende nuk kanë folur nga Qeveria e Kosovës e cila deri sot nuk ka mundur të kthej urën në funksionin e saj.

Por këtë vendim s’e mirëpriti komuniteti serb atje.

Ish kandidati për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut, Aleksandër Arsenijeviq e konfrontoi kryetarin e ri të kësaj komune, Erden Atiq, për këtë vendim.

Por Atiq vendoi të mos përballej me të dhe hyri brenda komunës.

Pos ish kandidatit edhe Lista Serbe doli kundër vendimit, duke thënë se ky i shkel marrëveshjet e Brukselit dhe e kërcënon paqen.

Lista Serbe pas vendimit kërkoi nga KFOR-i që me urgjencë të pengojnë zbatimin e këtij vendimi.