Vetaksidenti ku mbet i vdekur një 28 vjeçar – Arrestohen tre persona, dyshohet se po bënin gara me të ndjerin

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka njoftuar se janë ndaluar tre persona të dyshuar lidhur me vetaksidentin ku humbi jetën i riu nga Përlepnica, Lorent Rrustemi.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se dy nga të dyshuarit ishin duke zhvilluar gara me të ndjerin.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit F.A. dhe B.A, më 25 Janar 2024, rreth orës 00:50 minuta, me automjetet e tyre, së bashku me tani të ndjerin L.R., gjatë drejtimit të automjeteve kanë zhvilluar gara, të cilat janë të ndaluara me ligj, që nga dalja e Gjilanit deri në hyrje të fshatit Dobërçan, ku edhe i ndjeri L.R., ka pësuar vetaksident dhe ka humbur jetën“, thuhet në njoftim.

Të njëjtit, bashkë me një person të tretë, dyshohet se nuk i kanë dhënë ndihmë viktimës, duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

“Po ashtu, dyshohet se pas vetaksidentit, të dyshuarit – vozitësit F.A. dhe B.A., si dhe i dyshuari – pasagjeri L.M., , nuk i kanë dhënë ndihmë tani të ndjerit L.R., duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria bën të ditur se të dyshuarit F.A, B.A dhe L.M janë dërguar në mbajtje për 48 orë.