VIDEO/ Sherr dhe pesë kartona të kuq, degjeneron ndeshja e futbollit në Turqi

Ndeshja e javës së 18-të mes Bursaspor dhe Diyarbekirspor (0-2) ka parë minuta dhune, pesë kartona të kuq dhe skena aspak të hijshme për një ndeshje futbolli. Dueli i Ligës së Dytë prodhoi kaos në fushë pasi Bunyamin Yurur nga skuadra mike bëri një gjest drejt tifozëve pasi shënoi golin e dytë në minutën e 82. Në sherrin që shpërtheu, 5 futbollistë morën kartona të kuq.

Yilmaz dhe Guney te vendasit si edhe Yurur, Celik dhe Calisan te miqtë dolën nga loja me karton të kuq. Gjatë përleshjes disa nga lojtarët e ekipit të Diyarbekirspor janë drejtuar drejt dhomës së zhveshjes.

Pas rikthimit të këtyre lojtarëve, ndeshja vazhdoi nga ku u ndërpre dhe arbitri e përfundoi menjëherë. Pas ndeshjes, stafi teknik dhe lojtarët e Diyarbekirspor kaluan në rrethin e sigurisë të krijuar nga policia dhe shkuan në dhomën e zhveshjes.

Në Turqi nuk kanë të ndalur skandalet në futboll. Kjo e sotmja ishte e treta në radhë, pas goditjes së arbitrit nga presidenti i Ankaragucu dhe tërheqjes së ekipit nga presidenti i Istanbulspor.