Në transfertën e Pragës, Shqipëria ia del të marrë një pikë me shumë vlera ndaj Republikës së Çekisë teksa ndeshja u mbyll në barazimin 1-1. Kuqezinjtë nuk duhej ta humbisnin këtë ndeshje dhe të besuarit e trajnerit Sylvinho ia dolën me sukses. Llogaritë janë ende të hapura me Shqipërinë që mbetet në vendin e dytë me shtatë pikë, një më pak se çekët kryesues. Por, kuqezinjtë janë aty dhe më shumë se kurrë në garë, të dielën ndaj Polonisë na pret një tjetër finale në rrugën drejt Euro 2024.
Sa i takon kronikës së ndeshjes, në pjesën e parë ishin vendasit ata të cilët lëshuan sinjalin e parë, por portieri Berisha priti në pozicion. Kuqezinjtë patën disa momente të mira pas minutës së 20-të kur provuan me Jasir Asanin e ndalur në pozicion jashtë loje dhe me Cikalleshi e Bajramin, ku sulmuesi kavajas pati një shans të mirë, por u ndal nga portieri kundërshtar. Në fundin e pjesës së parë, çekët rrezikuan me Soucek pas një gabimi të Taulant Seferit, por Ismajli mbylli mirë. Në minutat shtesë, Cikalleshi sërish u paraqit para portës së çekëve, por e ndali me dorë topin e marrë nga Asllani dhe arbitri Taylor ndali lojën.
Në fraksionin e dytë, Çekia e nisi vrullshëm dhe u shfaq rrezikshëm para portës së Berishës dhe në të 47-tën gjetën golin, por ishte teknologjia Var që ndërhyri dhe anuloi golin. Megjithatë, 10 minuta më pas vendasit realizuan sërish me anë të Cerny dhe këtë herë VAR, vendosi në favor të çekëve. Gjithsesi, Shqipëria e mori veten dhe nëntë minuta më pas barazoi shifrat. Ishte Nedim Bajrami që realizoi një supergol me të djathtën nga jashtë zonës, asgjë për të bërë nga portieri kundërshtar që nuk mund ta shmangte magjinë e fantazistit kuqezi.