Vrasësin e policit, familjarët e përcjellin si hero!

Nga Marina Kërçeli

Azgan Mërnica, vrasësi 23-vjeçar është vetëdorëzuar mbrëmjen e djeshme në polici pas më shumë se dy ditësh kërkimesh, të cilat dështuan për ta kapur në kohë. 23-vjeçari i cili ekzekutoi me armë për motive të dobëta efektivin e Shqiponjave Novruz Canaliaj, u shfaq i buzëqeshur gjatë momentit të vetëdorëzimit para autoriteteve.

Autori u dorëzua para policisë nga vetë familjarët, pas negociatave me një makinë civile ngjyrë blu ndërsa në videon e siguruar nga DritareTv, ata dëgjohen duke i thënë: Azgan vdeksha unë…Hajt rrugë e mbarë! Zoti para.

Është tronditëse të dëgjosh dhe shohësh këtë moment, se si familjarët e një vrasësi e përcjellin drejt autoriteteve, si hero dhe jo si autor i një ngjarje të rëndë, që i mori jetë një 28-vjeçari të pafajshëm. Një 23-vjeçar i cili qarkullonte me armë zjarri dhe për motive të dobëta qëlloi pa menduar dy herë efektivin, pas sherrit se kush do të kalonte i pari rrugën. Ky moment është i dhimbshëm për shoqërinë shqiptare, viktima ikën në botën tjetër, por vrasësi nuk është aq vrasës.

Kjo u provua dje!

Familjarët në vend që të ndëshkojnë aktin e rëndë të 23-vjeçarit, ata kthehen në mburojë për krimin e tij, pasi në një moment të dytë dëgjohen duke thënë: Po të luajti njeri atje. Ndërkohë, shoferi i makinës thotë: është në besën time.

Sa turp që vrasësi 23-vjeçar u përkëdhel në këtë mënyrë!

Në këtë vend, arroganca, është ky djalë që na e bën të qartë pse e vrau. Familja dhe arroganca e fuqisë që të jep ajo! Turp për kë mbron, mbështet dhe ushqen lirimin e këtij robi!/dritare.net