Vriten një ushtar egjiptian pas një shkëmbimi zjarri me ushtrinë izraelite në pikën kufitare Rafah

Zëdhënësi ushtarak i Egjiptit, koloneli Gharib Abdel-Hafez, ka njoftuar se një person është vrarë gjatë disa të shtënave në kufirin midis Egjiptit dhe Gazës.

Edhe ushtria izraelite e ka pranuar se ka ndodhur një incident mes të dy shteteve.

Por, deklarata egjiptiane nuk e identifikoi personin e vrarë dhe nuk tregoi nëse ai i përkiste ushtrisë egjiptiane, shkruan CNN.

Në vend të kësaj, ai u përshkrua si “personel përgjegjës për sigurinë”.

Bëhet e ditur se ushtria egjiptiane tashmë po kryen një hetim në lidhje me rastin.

Edhe IDF-ja izraelite u deklarua për të shtënat.

“Po zhvillojmë diskutime me egjiptianët”, tha ushtria e Benjamin Netanyahut në një deklaratë.

Ndryshe, marrëdhëniet midis Egjiptit dhe Izraelit janë tensionuar pasi trupat izraelite u zhvendosën në një zonë të njohur si Korridori i Filadelfit dhe morën kontrollin e Rafahut.

Korridori i Filadelfit është një brez toke i gjatë 14 kilometra dhe i gjerë 100 metra i cili kalon përgjatë kufirit midis Gazës dhe Egjiptit.