Vuçiçi bën llogaritjet e fundit: Do të jenë mes 29 dhe 33 vota pro Kosovës – mjaftojnë 31 për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një paraqitje në Radio Televizionin e Serbisë (RTS) të enjten, tha se pret që të jenë mes 29 dhe 33 vota pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa shtoi se përgjatë procesit do të shihet se kush janë “miqtë e vërtetë” të Serbisë.

“Kosova ka 29 deri në 33 vota pro në Këshillin e Evropës, ku 31 vota u mjaftojnë për shumicën. Por, dua që njerëzve t’u them, pavarësisht sa e vështirë është, ne në këto momente do të shohim se cilët i kemi miq të vërtetë, pavarësisht se çfarë na thonë të tjerët”, theksoi presidenti serb.

“Sa qesharake është kur dikush nga fqinjët të thotë se këtë po e bëjmë për Serbinë, jo për vete. Se kjo është e mirë për Serbinë… Ju nuk e doni Serbinë më shumë se ne. Dhe ky vend nuk ka nevojë për mësues. Populli i këtij vendi e di shumë mirë se çfarë është e mirë për ta dhe çfarë jo”, shtoi ai.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane. Megjithatë, nuk janë përfaqësuesit e popullit ata që e japin fjalën e fundit kur bëhet fjalë për pranimin e anëtarëve të rinj, por ministrat e jashtëm.