Vuçiq “i revoltuar” dhe “konstruktiv” për dinarin: S’flasim me BQK’në, bankat private do t’ua shpërndajnë paratë njerëzve tanë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që përjashton dinarin nga përdorimi, ka paralajmëruar se të hënën e javës së ardhshme, Serbia do të vazhdojë të dërgojë dinarë në Kosovë përmes një “transportuesi të licencuar dhe të autorizuar, kompanisë britanike Henderson, në përputhje me ligjet”.

Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

Disa ia kanë vënë fajin Doganës së Kosovës që e ka lejuar një praktikë të tillë, pasi që BQK-ja është institucioni i vetëm i autorizuar për import dhe eksport të euros dhe valutave të tjera në Kosovë, siç shkruan REL.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se shpresojnë në arritjen e një marrëveshjeje mes BQK-së dhe Bankës Popullore të Serbisë për të arritur marrëveshjes për pagesat për serbët në Kosovë.

Mirëpo, Vuçiq e ka hedhur poshtë këtë mundësi, duke thënë se Banka Popullore e Serbisë nuk do të bisedojë me BQK-në.

“Ne do të gjejmë një zgjidhje. Nëse është e nevojshme, do të gjejmë banka private që do të marrin licenca gjithsesi, do të gjejmë zgjidhje për t’ua ndarë paratë njerëzve tanë”.

Sipas tij, Banka Popullore e Serbisë do t’i përmbahet ligjit dhe se Serbia do të japë informacione për vendimin përfundimtar për këtë çështje, por “prioritet do të jetë transporti dhe dërgimi i parave në Kosovë.”

Kur foli për fondet që ndan Serbia, Vuçiq ka treguar se shteti i tij i ka “31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale”.