Vuçiq tenton të flasë pas Kurtit në OKB, kryesuesja s’e lejon dhe përfundon mbledhjen

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq iu është mohuar që të flasë për të tretën herë gjatë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pavarësisht kërkesë së tij, kryesuesja e mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së njoftoi që mbledhja do të pëfundojë dhe që atij nuk mund t’i jepet fjala përsëri.

Kryeministri Albin Kurti dhe president serb Aleksandar Vuçiq morën fjalën nga dy herë secili.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.Në këtë seancë, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Kujtojmë se, që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.
Kjo rregullore parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euro, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Valutën kombëtare të Serbisë, serbët në Kosovë e kanë përdorur që nga përfundimi i luftës më 1999.

Po ashtu, Serbia ua paguan qytetarëve serbë të Kosovës, përmes një sistemi paralele, pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe përfitimet e tjera.