Xhudistja më e mirë e Greqisë falënderon ekipin e Kosovës për ngritjen e jashtëzakonshme

Grekja Elisavet Teltsidou është njëra prej xhudisteve më të mira në botë në kategorinë deri 70 kilogramë. Është e vetmja xhudiste nga Greqia që në fund të vitit 2023 është në zonën që siguron normë për “Parisi 2024”.

Xhudistët tjera nga Greqia janë shumë larg normës. Aktualisht Teltsidou është e dyta në ranglistën olimpike në kategorinë deri 70 kg. E dyta është edhe në ranglistën botërore.

28-vjeçarja ka rreshtuar sukseset së fundi, por vetëm pasi për kohë të gjatë ka ushtruar me ekipin e Kosovës në xhudo, përkatësisht nën urdhrat e trajnerit Driton Kuka.

Skip AdAdvertisement
Të premten, Teltsidou ka shprehur publikisht mirënjohjen për ekipin kosovar të xhudos dhe kryetrajnerin Kuka.

“Pas gjithë këtyre medaljeve, dy vjetët e fundit ishin vërtetë të vështirë. Ishin kohëra të vështira dhe mbi të gjitha stërvitje të forta. Dëshiroj të falënderoj ekipin e Kosovës në xhudo, vajzat e këtij ekipi dhe veçanërisht trajnerin Driton Kuka. Kjo ndihmë dhe mbështetje është e rëndësishme për një sportist dhe kjo ka të bëjë me familjen e xhudos”, ka shkruar xhudistja greke në një postim falënderues në “Instagram”.

Në dy vjetët e fundit Teltsidou më shumë ka ushtruar me ekipin e Kosovës se në ekipin e saj në Greqi. Dhe tashmë llogaritet prej më të mirave në botë, me potencial për medalje olimpike.

Falë sistemit të stërvitjes në Kosovës, garuesja greke ka përmirësuar shumë xhudon e saj. Teltsidou ka shprehur interesim që edhe gjatë vitit të ardhshëm të ushtrojë me ekipin e Kosovës në xhudo.

Ajo ishte e para në Grand Slamin në Tbilisi në muajt e parë të vitit. E para ishte edhe në Grand Slamin në Kazakistan, ndërsa në Masters, garën e më të mirëve, u rendit e dyta. Medalje ari fitoi edhe në Grand Slamin në Baku.

Ka plot xhudistë të vendeve të ndryshme që shprehin interesim për të ushtruar me ekipin e Kosovës në xhudo. Por jo të gjithë e kanë këtë mundësi.