Zelensky është njeriu i vitit për TIME

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është njeriu i vitit sipas revistës prestigjioze TIME, së bashku me shpirtin e rezistencës ukrainase, në një kopertinë të kaltër e të verdhë.

Nën motivacionin e një lidershipi të rrallë në epokën e luftës, ai arriti të frymëzojë gjithë Evropën dhe botën mbarë sipas TIME, kësisoj duke qenë personi më influencues, në mënyrë të padiskutueshme.

“U shpërnda një kurajë ngjitëse fillimisht në Ukrainë, në ditët e para pas pushtimit, e më pas të gjithë e kuptuan se Presidenti i tyre, nuk do të shkonte askund, por do të qëndronte”, e nis përshkrimin gazetari i TIME, Simon Shuster, sa i përket një portreti që lidhet me Zelenskyn dhe shpirtin e pamposhtur ukrainas.

Me një karrierë tërësisht të kundërt nga ajo politike – e ka nisur si aktor komik – ai arriti që popullaritetin tek shikuesit, ta kthejë në mbështetje popullore tek votuesit.

Në fakt, vetë jeta e tij, i ngjan filmit, por në vend të mësuesit, i cili papritur gjendet president, ai është një komedian, i cili në dorë merr frenat e shtetit.

“Jam plakur dhe ndryshuar, për shkak të një diturie, të cilën kurrë nuk e kam dëshiruar”, i pati thënë muaj më parë Zelensky revistës TIME, rreth 60 ditë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainës.

Por, sot, shndërrimi është akoma më rrënjësor.

Kemi të bëjmë me një njeri më të matur, siç shkruhet në artikull, më të pjekur. Me një lider, i cili dikur cilësohej si “peshë e lehtë” dhe sot, është i lëvduar për forcën e tij.

Disa prej aleatëve më të afërt, u mungon ndoshta Zelensky i dikurshëm, ai i cili bënte shaka, i cili kishte humor, me një buzëqeshje thuajse adoleshenciale.

Ata gjithsesi e kuptojnë, se çfarë i duhet vendit të tij në këto çaste, është një lider i vërtetë, i pashpërqëndrueshëm nga rrethana të tjera, në mënyrë që vendi i tij të mundet të mbijetojë.