Dy gra nga Ukraina me origjinë shqiptare që rreth dy vjet jetojnë në Gjermani si refugjate nga lufta. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, të dyja thonë se ëndërrojnë për lirinë e Ukrainës, derisa kanë krijuar jetë në Gjermani dhe po tentojnë të krijojnë lidhje me komunitetin shqiptar atje.
Një autobus i madh me shumë ukrainas të frikësuar, është kujtimi i fundit që Katarina Larina e ka nga vendi ku u lind e u rrit.
Më 1 prill të vitit 2022, rreth një muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, ajo arriti t’i bashkohej kolonës së refugjatëve që largoheshin për në vende të tjera të Evropës.
Tash e afro dy vjet, ajo po jeton në qytetin Erfurt të Gjermanisë.
Katarina Larina, shqiptare nga Ukraina, e zhvendosur në Gjermani.
Para luftës, Katarina banonte në fshatin Karakurt në rajonin e Odesës në jug të Ukrainës, ku jeton një komunitet i madh me origjinë shqiptare.
Këta shqiptarë besohet se janë shpërngulur në Ukrainë nga zona e Korçës së Shqipërisë dhe zona të tjera të Ballkanit, qindra vite më parë.
Shumica e kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqipe, ndonëse me një dialekt të ndryshëm nga shqipja standarde që përdoret sot.
“Nuk shqiptoj shumë”, paralajmëron Katarina para se të nisë intervistën, duke aluduar se “nuk kupton shumë”.
Kur nisi [lufta], më 24 shkurt… [njerëzit] ishin shumë të trembur. Unë kam këtu [në Gjermani] punën. Unë punoj në piceri, bëjmë gatime dhe vetëm mësoj [gjuhën] gjermane.
Kjo 57-vjeçare tregon se në Gjermani kishte ardhur bashkë me vajzën, 33 vjeçe.
Vajza e saj, megjithatë, u kthye në Ukrainë pas një viti, meqë dëshironte të rrinte pranë burrit të saj, i cili nuk kishte të drejtë të largohej nga Ukraina për shkak të ligjit të luftës.
“Mendohem, mendohem çdo ditë. Kam frikë për atë (për vajzën)”, thotë ajo.
Katarina planifikon të qëndrojë në Gjermani tash për tash deri në përfundim të luftës, ndonëse e merr malli për vendlindjen.
“Zemra më është atje (në Ukrainë)… Këtu është tjetër botë, atje është tjetër botë. (Atje), kam botën më të hapur, këtu më të mbyllur”.
Katarina, tani e 10 muaj është duke mësuar gjuhën gjermane. Ajo ka nisur punën në një piceri në qytetin e saj, ku tregon se kishte takuar edhe dy shqiptarë nga Kosova.
Me ta ajo thotë se bisedon çdo ditë që të arrijë të praktikojë edhe gjuhën shqipe.
Unë, kur u thashë se jam shqiptare, ata [u çuditën]. “Katarina? Ti shqiptare?”. Unë ju thashë: “Jam shqiptare”… Dhe, unë zura t’i pyes [si u thoni fjalëve], hudër-hudër, qepë-qepë… e të tilla fjalë, dhe ata më thonë: “Shumë mirë, e keni mbajtur gjuhën…”. Unë them: “Mirë”.
Lufta në Ukrainë tashmë ua ka marrë jetën më shumë se 10.000 civilëve, kurse miliona të tjerë janë detyruar të zhvendosen brenda dhe jashtë vendit të tyre.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Edhe rajoni i Odesës, prej nga vjen Katarina, është goditur nga sulmet e vazhdueshme ruse.
Djali më pyet: Nënë, kur do të kthehemi në Ukrainë?
Nelli Syupyur, bashkëvendase e Katarinës, po ashtu me origjinë shqiptare, ka dy vjet që ka krijuar jetë në Gjermani.
Ajo kishte ikur në fillim të luftës në Ukrainë, së bashku me djalin e saj që atëherë ishte tre vjeç.
“Djali ndonjëherë thotë: Mama, kur do të kthehemi në Ukrainë, kur do të shkojmë në Ukrainë, unë dua të shkoj në det”, tregon Syupyur.
Kur iku nga Ukraina, kjo valltare profesioniste, la prapa më shumë se sa karrierën.
Burri i saj, një ushtarak i pensionuar, qëndroi në Ukrainë pasi iu bashkua sërish ushtrisë në vijën e frontit.
Nelli Syupyur me djalin e saj pas arritjes në Gjermani.
Malli dhe frika për sigurinë e burrit në luftë, Nellit i pushoi vetëm në fillim të vitit 2024, kur me leje të veçantë burri i saj arriti të vinte në Gjermani.
“Nëna e tij ishte vetëm (në Ukrainë) dhe ajo ishte shumë plakë dhe e sëmurë. Nuk mund të ecte. Burri mori nënën dhe erdhi në Gjermani”, tregon Syupyur.
Nelli thotë se ai do të kthehet në Ukrainë kur nëna e tij të bëjë më mirë dhe se për këtë është e përgatitur.
“(Takimi) ishte shumë emocional. Djali ia mbante dorën fort. I thoshte: Baba unë nesër do të zgjohem dhe ti nuk do të jesh këtu, do të shkosh në luftë”, rrëfen Nelli.
Sipas saj, bashkëshorti ka disa probleme shëndetësore, por ajo është e lumtur “që është gjallë”.
Kjo 45-vjeçare thotë se ka pasur dëshirë të vizitojë Ukrainën tash e dy vjet, por është frikësuar për sigurinë e saj dhe të djalit.
“Mund të them se unë këtu kuptoj se ne duhet të bëjmë diçka, që të kemi fitore ukrainase, të mbyllet kjo luftë, të mbarojë kjo luftë”.
Nelli tashmë ka rinisur ngadalë karrierën e saj të vallëzimit në Gjermani.
Peng i saj, megjithatë, janë planet që kishte para nisjes së luftës, për të bërë projekte që lidhen me kulturën shqiptare dhe Shqipërinë.
“Unë këtu dua të gjej shqiptarë, organizata, kush mund të më ndihmojë, të lidhemi dhe të ngremë pak kulturën e Shqipërisë, të kërcejmë, të bëjmë diçka. Mund të jetë projekt i vogël. Unë [kuptoj] se nuk ka financim për projekt të madh për kulturën shqiptare.”
Ajo ka gjetur kontakte me disa familje shqiptare në Gjermani, por thotë se ka dëshirë ta mësojë më shumë shqipen.
“Nuk kam shumë praktikë (për gjuhën). Nuk është lehtë të flasim shqip”, thotë Nelli.
Në të kaluarën ajo kishte jetuar për një kohë të shkurtër në Shqipëri, ku kishte lindur edhe djali i saj, Ervini.
Ervini, djali i Nelli Syupyur me veshje tradicionale shqiptare.
Të shtunën, më 24 shkurt, bëhen dy vjet prejse Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, së fundmi i ka bërë thirrje Kongresit amerikan ta kalojë një pako prej 60 miliardë dollarësh ndihmë për vendin e tij, për t’u mbrojtur kundër forcave pushtuese të Rusisë, duke thënë se “kjo është alternativë më e lirë sesa pasojat e një fitoreje ruse”.