Zhdukja e biznesmenit/ Shkodrania e arrestuar: Shkoi të blinte një vajzë, si më shitën tek serbi që 16 vjeçe

Biznesmeni kosovar nga Gjilani, Musa Hamiti, është denoncuar i zhdukur nga familjarët e tij që prej 10 Janarit të këtij viti. Autoritet kosovare kanë nisur hetimet për zhdukjen e tij, teksa është raportuar se biznesmeni ka patur me vete edhe 86 mijë franga.

Në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar si të dyshuara dy shtetase; Silvana Dulellarin e lindur në vitin 1984 dhe Marinela Markoviç e lindur në vitin 1989, të dyja shtetase të Shqipërisë.

Në dëshminë e dhënë për autoritetet, Marilena Markoviç ka deklaruar se ka kohë që e njeh Musa Hamitin. Marinela Markoviç me origjinë nga Shkodra ka thënë se jeton prej katër vitesh në Kosovë dhe pretendon se aty e ka sjellë Musa Hamiti.

Avokatja e Marinela Markoviç, Zanita Leka – Ademi, në një intervistë për “Shqipëria Live”, thotë se “asaj i është caktuar nga Gjykata Themelore në Gjilan masa e paraburgimit për 30 ditë, derisa dyshohet se ka kryer veprën penale “rrëmbimi”, nga neni 191 Kodit penal të Kosovës, në lidhje me nenin 31”.

Gjatë deklaratave në stacionin policor në Gjilan, po ashtu edhe gjatë konsultimit me avokaten e saj, Marinela ka njoftuar se është takuar me Musain atë ditë, ku ai i kishte thënë asaj në takim: “nëse nuk kthehem deri në orën 12 të natës, lajmërom në polici, se unë po shkojë t’i kërkojë ose paratë ose gocën për të cilën kam paguar”. Ai ka shkuar dhe nuk është kthyer më. Ndërsa për zhdukjen e tij kishte denoncuar bashkëshortja e tij, sepse ajo ishte në dijeni se ai kishte me vete 86 mijë franga.

Avokatja ka bërë të ditur se në moshën 16-vjeçare, Marinela nga Shkodra është shitur nga familja e saj tek një serb në Zvicër. Si e martuar në moshën 24 vjeçare ajo ka lindur dhe një vajzë me të, prandaj edhe mban mbiemrin Markoviç.

“Marinela ka ikur nga personi ku ka qenë e shitur nga familja e saj. Ajo ka ardhur në Kosovë për një jetë më të sigurtë, prandaj dhe jeta e saj ka qenë në rrezik këtu, sepse personi të cilin ka qenë e shitur ajo, vazhdimisht e ka kërcënuar ku ai ka paguar para për të tek familja e saj dhe ajo i ka ikur duke lënë dhe vajzën e tyre atje. Ajo gjysmën e borxhit ia ka kthyer dhe i ka mbetur vetëm gjysma tjetër që ta paguajë dhe të jetë e lirë”, ka thënë avokatja e saj.

Sipas rrëfimit të Marinelës tek avokatja, ajo ka theksuar se ka pasur një jetë shumë të keqe me serbin në shtetin e Zvicrës.

“Marinela ka qenë në dijeni se ku po shkon Musai, ata kanë qenë miq për katër vite, ai e ka ndihmuar Marinelën të vijë nga Zvicra në Kosovë, duke u larguar nga një jetë jo shumë të mirë atje që e ka bërë me personin për të cilin ka qenë e martuar. Më tej, Marinela kishte zhvilluar jetën e saj normalisht dhe ka punuar në Kosovë.

Musahi e ka siguruar Marinelën sepse ajo nuk ka qenë shumë e sigurtë këtu, ky ia ka ofruar asaj edhe mbrojtjen, ajo ka qenë e sigurtë pranë tij. Prandaj, është edhe në interesin e saj që ai person të jetë gjallë”, është shprehur avokatja e saj.

Ajo nuk ishte takuar shumë kohë me Musain, për shkak se ai ka jetuar me familjen e tij në Zvicër. Teksa ai ka ardhur për vizitë në Kosovë, personi i parë që ai ka takuar ka qenë Marinela. Avokatja thekson se ata ishin persona shumë të afërt me njëri tjetrin, por që nuk ishin në një lidhje.

Arsyeja pse akuzohet Marinela për rrëmbim, avokatja pretendon se është për shkak se ajo ka qenë personi i fundit e cila është takuar me personin tanimë të zhdukur. Më tej, avokatja ka thënë se sipas Marinelës kjo nuk ka qenë hera e parë e tij që është zhdukur.

Sipas rrëfimit të cilin e ka bërë e pandehura gjatë mbrojtjes së saj, këtë herë Musai për herë të parë është zhdukur me një shumë kaq të madhe parash, me vlerë rreth 86 mijë franga.

Sipas avokates së Marinelës, ajo nuk ka qenë në dijeni që Musai ka pasur një shumë të parave me vlerë rreth 86 mijë franga, ata janë njoftuar atëherë kur është bërë denoncimi nga bashkëshortja e Musahit.

Avokatja është shprehur se sa iu përket bizneseve të Musait, ai nuk e ka informuar Marinelën. Siç nuk e ka informuar për bizneset e tij të cilat ai i ka bërë, e që në mesin e këtyre është edhe po ky biznes për të cilin ai është larguar.

“Personi i zhdukur e ka blerë kinse një femër nga një person, i cili e kishte atë të dashur, dhe i ka propozuar atij që të blejë një femër për një shumë të caktuar, e për këtë Marinela ka qenë në dijeni. Sipas Marinelës, Musahi ka dalë në vendin dhe orën e caktuar, por nuk e ka parë femrën për të cilën i ka dhënë ato para”.

Avokatja ka deklaruar se Marinela ka treguar dhe përshkruar personat të cilët tani janë identifikuar, por nuk janë kapur ende nga organet e drejtësisë.

Fillimisht gjatë marrjes në pyetje, Marinela ka qenë vetëm si dëshmitare, por më vonë është ndryshuar kualifikimi dhe tani këto cilësohen si të dyshuarat kryesore ku janë kualifikuar me veprën penale “rrëmbim” nga neni 191.

“Marinela dhe Musai kanë qenë miqë të afërt, sa herë që ka ardhur ai nga Zvicra në Kosovë, vetë apo edhe me bashkëshorten e tij, ata të dy janë takuar me njëri tjetrin, pasi që ishin edhe fqinjë në të njëjtin bllok. Nuk ka ndonjë provë që ajo dëshmon se Marinela është e përfshirë në këtë çështje përveç dyshimeve të cilat janë ngritur, vetëm sepse ajo është mikeshë e tij”.