7-vjeçari i vrarë nga serbët jetësohet në skulpturë, artisti: U preka thellësisht në zemër nga fjalët e fundit të vogëlushit

“Oj nanë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam semut prej barku Kur ja kam hjek teshat ia kam parë se ju kish qky barku dhe i kishin ra zorrët, ja kam qit xhemperin me ia mbulu, më ka thënë ‘ma nanë, mos um prek se po kam dhimbje shumë”. Këto fjalë të nënës së vogëlushit Leotrim Ahmeti, kanë prekur shpirtin e artistit Sabri Bahramaj, i cili ka realizuar skulpturën e 7-vjeçarit të vrarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë.

Në një intervistë me Denisa Pashollin, ai rrëfeu përjetimet e tij për realizimin e kësaj vepre e cila do të vendoset në Skënderaj.

“Gjithçka nisi nga rrëfimi i nënës së Leotrimit, në një intervistë të publikuar në vitin 2022 në rrjetet sociale. Kur pashë intervistën e nënës, vura si kusht vetes që të krijoj një vepër për Leotrimin dhe ja u bë realitet. Realizimi artistik ka zgjatur rreth 3 muaj kohë deri te bronzi”, shprehet skulptori.

Bahramaj thotë se është prekur thellësisht nga fjalët e fundit të vogëlushit dhe i vuri kusht vetes për ta realizuar këtë vepër, inaugurimi i së cilës përkon edhe me 25-vjetorin e çlirimit të Skënderajt.

“Ky është tekst shumë i fuqishëm i djalit, pranë nënës së vet. Ky tekst më ka prekur thellësisht në zemër dhe realizova projektin. Ky është rrëfimi i nënës së Leotrimit dhe këto kanë qenë fjalët e fundit të 7-vjeçarit, i cili nuk mundi t’i mbijetojë plagëve. Më ka prekur shpirtërisht ajo ngjarje dhe e kam realizuar vetë. Kjo rastis më 18 qershor, ditën e çlirimit të Skenderajt”.

Ai thekson se rrëfimi i djalit do të shkruhet në pllaka për t’ju përcjellë brezave

“Ashtu siç ka qenë rrëfimi, ashtu do të shkruhet edhe te pllaka dhe do të përcillet në breza”.