“Babi tregohu i zoti, që të ushqehemi”- Rrëfimi i emigrantit filipinez në Shqipëri

Në emisionin Real People në Euronews Albania ishte i ftuar këtë të shtunë, Samueli, një shtetas filipinez i cili jeton dhe punon në Shqipëri si kopashtar.

Samueli rrëfen se u largua nga vendlindja së bashku me bashkëshorten për arsye ekonomike dhe kushtet e vështira të jetesës. Ai shprehet se u gëzua shumë kur e telefonuan nga Shqipëria pas aplikimit për punë, e për këtë arsye do të dëshironte të merrte këtu edhe 2 fëmijët e tij që jetojnë ende në Filipine.

Ai tha se fëmijët e telefonojnë dhe e këshillojnë që të tregohet i zoti në punë në mënyrë që ata të ushqehen dhe të arsimohen.

Sipas tij ai fitonte në Filipine 150 dollarë në muaj dhe ishin të pamjaftueshme për një familje me 4 persona.

“Më morën në telefon dhe më thanë që e pranova punën. Isha shumë i lumtur. Djali im më tha, babai tregohu i zoti në punë që ne të jetojmë. Duhet ta bëja jam babai i familjes dhe duhet të gjeja para për të jetuar, që të jetojnë dhe të arsimohen. Ata jetojnë në Filipine me tezen time”, tha ai.