Bideni letër Vuçiqit, i përmend kompromise për Kosovën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka inkurajuar Serbinë të marrë veprime proaktive për dialogun me Kosovën, teksa i ka përmendur se për normalizim të shpejtë duhet të përfshihen edhe kompromiset po që se është e nevojshme.

Në një letër drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Ditën e Shtetësisë së Serbisë, Bideni ka garantuar se SHBA-ja do të punojë ngushtë me Serbinë e Kosovën dhe Bashkimin Evropian në dialog.

“Inkurajoj Serbinë të bëjë hapa përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromise kur të jenë të nevojshme, me synim që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet ndër të tjera në letrën e Bidenit për Vuçiqin, e publikuar nga uebfaqja e Presidencës në Serbi.

You can skip this ad in 2Advertisement
Presidenti amerikan ka thënë se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiqit, u është bashkuar 140 vendeve demokratike të botës në Kombet e Bashkuara që kanë dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Është e rëndësishme që të mbetemi të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës dhe ta dënojmë luftën brutale të Rusisë”, vijon letra e tij.

Siç ka raportuar “N1”, në letrën e Bidenit për Vuçiqin theksohet se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, është kyç për të ardhmen paqësore dhe të suksesshme të Serbisë dhe rajonit”.