Çelet Qendra e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rama: Brenda 2030 eksporte ushtarake ‘Made in Albania’

“Qendra e re e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes shënoi me hapjen e saj një epokë të re të zhvillimit teknologjik dhe modernizimit në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes”.

Kështu u shpreh kryeministri Rama, këtë të mërkurë, teksa mori pjesë në inaugurimin e qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

“Kjo qendër i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt madhor për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-së. Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje”.

Rama vizitoi sot mjediset e reja të Qendrës, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura dhe më pas mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të saj.

Ndërkohë, po këtë të mërkurë, Rusia reagoi me anë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, e cila akuzoi NATO-n dhe Bashkimi Europian se po zgjerojnë qendrat e tyre kibernetike të orientuara për sulme kundër Rusisë. Sipas saj, një e tillë po hapet edhe në Shqipëri dhe pretendon se misioni i qendrës do të jetë “të ndihmojë në krijimin e një imazhi negativ për Rusinë”. Zakharova paralajmëron se “në këtë mënyrë, po krijohet një tjetër burim kërcënimesh hibride në Ballkan”, duke thënë se ky është një rajon me probleme të mëdha politike