Rusia: Qendra që u hap në Shqipëri do kryejë sulme kibernetike ndaj nesh

Kryeministri Edi Rama inauguroi këtë të mërkurë hapjen e Qendre të re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes. “Kjo qendër i bashkohet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt i madh për mbrojtjen në botën dixhitale, me një rol kyç në luftimin e kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjen e sistemeve tona të informacionit, i krijuar falë mbështetjes së SHBA” – deklaroi Rama gjatë ceremonisë së inaugurimit të mërkurën. Më pas Rama vizitoi ambientet e reja të Qendrës së bashku me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe zyrtarë të lartë të Forcave të Armatosura.

Pas kësaj ka reaguar menjëherë Rusia përmes zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zakharova. Ajo akuzoi NATO-n dhe Bashkimin Evropian për zgjerimin e qendrave të tyre kibernetike të orientuara drejt sulmeve kundër Rusisë. Sipas saj, një qendër e ngjashme po hapet edhe në Shqipëri, me pretendimin se misioni i qendrës do të jetë “të krijojë një imazh negativ të Rusisë”.

Zakharova tha se “në këtë mënyrë po krijohet një tjetër burim kërcënimesh hibride në Ballkan”, duke deklaruar se ky është një rajon me probleme të mëdha politike.

Mediat shkruajnë se në këtë mënyrë Rusia ka filluar të sajojë një justifikim për të kërcënuar Shqipërinë. Gjatë konferencës në Moskë, Zakharova akuzoi NATO-n dhe BE-në për zgjerimin e qendrave të tyre kibernetike të orientuara drejt sulmeve kundër Rusisë.

Sipas saj, një qendër e ngjashme u krijua në vitin 2017 në Helsinki të Finlandës, për të cilën personeli ushtarak rus pretendon se funksionon në sfera ushtarake, politike, diplomatike, ekonomike, informative, mjekësore dhe të tjera për të dëmtuar imazhin pozitiv të Rusisë. Zakharova akuzoi më tej NATO-n për manovra të rrezikshme luftarake.

“Aktualisht, në marrëdhëniet me Rusinë, blloku është kthyer në mendësinë e Luftës së Ftohtë. Në dokumentet e doktrinës së tij, Rusia është shpallur “kërcënimi më i madh i drejtpërdrejtë”. Ka një grumbullim aktiv të trupave në drejtimin lindor. Stërvitje ushtarake të paprecedentë. Ata po përgatiten për luftë kundër Rusisë dhe as nuk e fshehin atë”, – shtoi ajo.