“Dorëzohet” motori i Europës, Gjermania në recesion, e “mbyti” inflacioni!

Inflacioni i vazhdueshëm ka gërryer edhe motorin ekonomik të Europës, duke nxitur shtyrjen e saj drejt recesionit në tre muajt e parë të vitit.

Të dhënat e fundit nuk janë premtuese për ekonominë më të madhe të kontinentit të vjetër, Gjermaninë, e cila e mori fillimisht një goditje të fortë që kur shteruan furnizimet e gazit rus pas pushtimit të Ukrainës. Zyra e statistikave atje pohoi se ekonomia e vendit me 0.3% në periudhën janar-mars, dhe kishte pasuar një tkurrje prej 0.5% në tre muajt e fundit të vitit të kaluar.

Një vend konsiderohet të jetë në recesion atëherë kur ekonomia e tij tkurret për dy tremujorë radhazi. “Nën peshën e një inflacioni të jashtëzakonshëm, konsumatori gjerman u gjunjëzua duke tërhequr të gjithë ekonominë me vete,” tha Andreas Scheuerle, një analist në DekaBank. Norma e inflacionit në Gjermani ishte në nivelin 7.2% gjatë muajit prill, që do të thotë mbi mesataren e eurozonës.

Çmimet e rritura kanë rënduar mbi shpatullat e konsumatorëve për artikuj të tillë si ushqimi, veshmbathjet e deri tek mobiljet. Porositë industriale po kështu janë ulur, duke reflektuar ndikimin e çmimeve të larta të energjisë tek bizneset.

“Vazhdimi i rritjes së çmimeve ka qenë një barrë e madhe për ekonominë gjermane edhe në fillim e këtij viti”, pohoi agjencia federale e statistikave Destatis. Recesioni megjithatë duket të jetë më i lehtë nga ishte parashikuar dhe Banka qendrore gjermane, Bundesbank, pret që ekonomia të rritet në mënyrë modeste këtë tremujor, me një rimëkëmbje të industrisë e cila të kompensojë stanjacionin e shpenzimeve konsumatore.