Escobar: Nuk është koha për Malin e Zi në “Ballkanin e Hapur”

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten se Mali i Zi në këtë moment nuk ka nevojë të vendosë për t’iu bashkuar nismës “Ballkani i Hapur”, por duhet të veprojë për gjërat që po e çojnë vendin në krizë.

“Dua të jem i qartë: nuk ka nevojë të vendoset për këtë në këtë moment. Do të ketë kohë për një diskutim serioz për këtë çështje në të ardhmen. Tani duhet të veprojmë urgjentisht për gjërat që po e çojnë Malin e Zi në krizë”, tha ai në një intervistë për agjencinë Mina.

Escobar përsëriti se “Ballkani i Hapur” është një çështje që duhet të vendoset më në fund nga qytetarët e Malit të Zi, qoftë përmes një referendumi ose përmes zyrtarëve të zgjedhur me një mandat të qartë zgjedhësish.

SHBA: Duhet të plotësohen dy kushte

Shtetet e Bashkuara, theksoi ai, mbështesin të gjitha nismat rajonale të integrimit ekonomik, por kjo mbështetje ekziston vetëm nëse plotësohen dy kushte kryesore.

“E para është se iniciativa i afron vendet anëtare me Europën dhe nuk bie ndesh me detyrimet e tyre europiane sipas Procesit të Berlinit apo ndonjë procesi tjetër që Evropa drejton”.

“Kushti i dytë është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të mund t’i bashkohen nismës si anëtarë me të drejta të plota”, tha Escobar, duke shtuar se SHBA-ja do të tërheqë mbështetjen për “Ballkanin e Hapur” nëse ndonjë prej këtyre kushteve nuk plotësohet.