FILE PHOTO: U.S. Secretary of State Antony Blinken speaks during the release of the "2020 Country Reports on Human Rights Practices" at the State Department in Washington, DC, U.S., March 30, 2021. Mandel Ngan/Pool via REUTERS/File Photo

Gaza drejt Ramazanit me luftë, Blinken: Topi është në fushën e Hamasit. Edrogan: Ne e mbështesim

Dy ditë përpara nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit, nuk ka ende një shenjë të qartë për armëpushimin Izrael-Hamas. Megjithë negociatat intensive të ndërkombëtarëve gjatë javës së fundit palët nuk kanë rënë dakord për kushtet.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha se vendimi është në dorë të Hamasit të pranojë ose jo, duke theksuar se së bashku me armëpushimin do të vinte një sasi e madhe ndihmash humanitare për Gazën.

“Çështja është Hamasi. Çështja është a do të vendosë Hamasi që të ketë apo jo armëpushim për të mirën e të gjithëve. Topi është në fushën e tyre. Ne po punojmë me intensitet dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë ata”, tha Antony Blinken.

Deklaratën Blinken e bëri gjatë takimit me ministrin turk për punët e jashtme Hakan Fidan, ndërsa të dy ranë dakord se arritja e armëpushimit dhe lirimi i pengjeve do të ishte përfitim për të gjithë.

Ndërsa presidenti Recep Taip Erdogan nga Stambolli tha se Turqia mbështet grupin palestinez, Hamas, që është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Askush nuk mund të na detyrojë që ta shpallim Hamasin organizatë terroriste. Turqia është një shtet që flet hapur me udhëheqësit e Hamasit dhe i mbështet fuqishëm”, tha Erdogan.

Izraeli dhe Hamasi fajësojnë njëri-tjetrin për mospajtimin rreth marrëveshjes së armëpushimit.

Ndërkohë edhe nëse nuk arrihet armëpushimi, SHBA dhe BE kanë lajmëruar një korridor humanitar përmes detit nga Qipro. Anija e parë me ndihma pritet të mbërrijë në rripin e gazës këtë fundjavë.