Imamoglu “kërcënim” për pushtetin e Erdoganit

Të dy burrat kanë një aftësi të fortë për t’i tërhequr votuesit, por ata ndryshojnë kur bëhet fjalë për politikën e tyre. Imamoglu, një ish-biznesmen i dashur, i martuar, baba i tre fëmijëve, ka thënë vetë se idetë e tyre janë “kryesisht të kundërta”

Duke folur para mbështetësve të tij, pas një nate me fitore historike për partinë e tij opozitare, Partia Popullore Republikane (CPH), kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, e ka quajtur këtë moment “agimi i një epoke të re”, raporton “The Guardian”.

“Ne po bëjmë hapin e parë drejt një Turqie ku lulëzojnë demokracia, liria, barazia, racionaliteti, shkenca, dashuria dhe solidariteti”,  i tha ai turmës së ekzaltuar, e nxitur nga një natë me rezultate të papritura në të cilën CHP-ja doli e para në plot bashki, duke shënuar rezultatet më të mira që nga viti 1977. “Me këto zgjedhje ne kemi nxjerrë demokracinë nga brenda nesh”.

Fitorja e opozitës, duke lënë prapa partinë e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, në shumicën e qyteteve të mëdha të Turqisë dhe veçanërisht në Stamboll forcoi rolin e Imamoglut si sfiduesi kryesor i Erdoganit, i cili dekada më parë ka qenë kryetar i bashkisë së Stambollit dhe nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’u rikthyer sërish në atë post.

Të përbashkëtat e rivalëve

Imamoglu bëri më shumë sesa siguroi një mandat të dytë. Ai arriti një fitore me një diferencë të madhe. Fitorja e ka pozicionuar atë në sytë e shumë mbështetësve dhe analistëve të opozitës si sfiduesin më të mundshëm të presidencës së Erdoganit, mes dyshimeve në rritje se lideri turk do të kërkojë ta zgjasë mandatin e tij pas vitit 2028.

Të dy burrat kanë shumë të përbashkëta. Të dy vinë nga rajoni i Turqisë në Detin e Zi, rajon i njohur për politikë të ashpër dhe agresive, duke u dhënë atyre një aftësi për të tërhequr votues. Të dy kanë udhëhequr Stambollin, qytetin më të madh të Turqisë, ku zhvillohet një e treta e ekonomisë së vendit dhe të dytë janë përballur me sprapsje nga gjykatat e Turqisë. Madje të dy ndajnë edhe pasion për futbollin.

Të dy burrat kanë një aftësi të fortë për t’i tërhequr votuesit, por ata ndryshojnë kur bëhet fjalë për politikën e tyre. Imamoglu, një ish-biznesmen i dashur, i martuar, baba i tre fëmijëve, ka thënë vetë se idetë e tyre janë “kryesisht të kundërta”.

Pavarësisht ngjashmërive të tyre, neveria e Erdoganit për kryebashkiakun e Stambollit e transformoi atë nga një i ri në politikë në një yll në rritje, kur në vitin 2019 presidenti turk kërkoi një rivotim pas fitores fillestare të Imamoglut. Kjo çoi në një fitore edhe më të madhe për Imamoglun në një votim të dytë dhe e vendosi atë si armikun e Erdoganit gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.

Rezultati krijoi telashe ligjore për Imamoglun gjatë mandatit të tij të parë në detyrë. Pas fitores së tij të parë, një gjykatës e dënoi atë me dy vjet e gjysmë burg dhe vendosi një ndalim politik për fyerje të zyrtarëve publikë. Gjykata e Apelit ende nuk ka vendosur për këtë çështje.

Përpjekja për ta marrë Stambollin

Dënimi ishte një jehonë e përvojës së Erdoganit, pasi ai në vitin 1999 u ndalua nga politika dhe u burgos për pak, për shkak të recitimit të një poezie që një gjykatë vendosi se ishte një nxitje e urrejtjes fetare.

Vitin e kaluar një gjykatë tjetër hapi një çështje kundër Imamoglut me akuzat për manipulim të pretenduar të ofertave në një tender, gjatë kohës që ai ishte kryetar i qarkut Belikduzus në vitin  2015. Akuza për të cilat parashihet dënim prej tre deri në shtatë vjet.

Teksa Imamoglu ka përshkruar shpesh barriera nga Ankaraja që pengojnë aftësinë e tij për të përmbushur premtimet ndaj qytetarëve të Stambollit, ai pati sukses në një fushatë të përqendruar në zmbrapsjen e përpjekjes së Erdoganit për të marrë kontrollin e Stambollit, qytet me 16 milionë banorë.

Dy figurat politike karizmatike ndonjëherë kanë bërë jetë paralele. Imamoglu, i cili u diplomua në Universitetin e Stambollit me një diplomë për administrim biznesi në 1994, u fut në biznesin e ndërtimit të familjes së tij. Dashuria e tij për futbollin e shtyu atë të bëhej administrator në ekipin e qytetit të tij në Trabzon, ngjashëm me karrierën e shkurtër të Erdoganit si një futbollist gjysmëprofesionist.

Imamoglu kujtoi kohët e fundit mjedisin e zakonshëm ku ai dhe Erdogan kryqëzuan rrugët për herë të parë. Në mesin e viteve ‘90, pasi Erdogan u bë kryetar bashkie, ai vizitoi restorantin e qofteve që drejtonte Imamoglu në lagjen “Gungoren” të Stambollit.

“Kur ai ishte në muajt e tij të parë si kryetar bashkie, unë e prita atë”,  tha Imamoglu. “Ai hante qofte në restorantin tim. Unë nuk ia mora paratë. Ai nuk do ta paguajë atë faturë sa të jetë gjallë”.