Kërcënimi më i ashpër i Putinit deri më tani: “Ne do të fshijmë nga faqja e dheut këdo që na sulmon me armë bërthamore”

Në një konferencë në Bishkek te Kirgistanit, presidenti rus Vladimir Putin premtoi se çdo vend që guxon të sulmojë Rusinë me armë bërthamore do të “fshihet nga faqja e dheut”.

Ai tha gjithashtu se Rusia nuk kishte planifikuar kurrë një sulm të parë bërthamor parandalues, ndryshe nga SHBA, por se armët e avancuara hipersonike të Moskës do të siguronin që Rusia të ishte në gjendje të përgjigjej me forcë nëse sulmohej ndonjëherë.

Në Bishkek, ai tha gjithashtu se nuk ka nevojë që Rusia të thërrasë trupa shtesë për të luftuar në Ukrainë.

Sipas tij, Rusia ka ende 150,000 ushtarë të rekrutuar që nuk janë dërguar në front pasi Moska mobilizoi më shumë se 300,000 rezervistë në shtator dhe tetor.

Ai ka pranuar se ka pasur disa probleme me sigurimin e pajisjeve dhe veshmbathjeve për rekrutët, por se problemet janë duke u zbutur.