KFOR-i: Kemi shtuar trupa në veri – gëzojmë kapacitete për të siguruar qetësi në krejt territorin e Kosovës

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angele Michele Ristuccia është deklaruar rreth situatës në veri të vendit.

Përmes një komunikate të publikuar, është bërë e ditur se KFOR-i ka shtuar numrin e ushtarëve në pjesën veriore të vendit. Jo vetëm kaq, tash e dy muaj, numri i pjesëtarëve është shtuar.

“KFOR po monitoron nga afër situatën në Kosovën veriore. KFOR ka kapacitete të plota, përfshirë personelin, për të garantuar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, kudo në Kosovës, nën mandatin e tij duke u mbështetur te Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 1999. Nga tetori, ne kemi përforcuar prezencën tonë, përfshirë shtimin e trupave dhe patrullimeve në Kosovën veriore këtë javë”, thuhet fillimisht.

Në anën tjetër, kjo trupë ka ftuar palët që të kursehen nga retorika nxitëse, pra të përmbahen nga demonstrimi provokues i forcës.

“Presim që të gjithë aktorët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga demonstrimi provokues i forcës, për të siguruar qetësi dhe siguri për të gjitha komunitetet. KFOR do të vazhdojë ta përmbushë mandatin që ka nën Rezolutën 1244 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të gjinden nëpërmjet dialogut”, pason njoftimi në pjesën e fundit.

Situata

Barrikadat në veri të vendit, saktësisht në vendkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje ende nuk janë larguar, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare që të hiqen këto bllokada.

Megjithatë, KFOR-i thonë se janë të përkushtuar dhe të aftë që në Kosovë të sigurohet një mjedis i sigurt.

“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të zbatuar mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thotë KFOR-i në një përgjigje për Indeksonline.

KFOR-i thotë se janë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in kanë shtuar patrullimet e zgjeruara në veri të Kosovës.

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe Organizatat e Sigurisë së Kosovës dhe me Shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhet tutje në përgjigje.