Kur arbëreshët u vendosën në Kalabri nuk ekzistonte fare ndarja dialektore në gegërisht dhe toskërisht

Gjyshja e aktorit të njohur botëror, Danny DeVito, fliste gjuhën gegë siç thotë ai.

Kjo deklaratë ka ngjallur debate të shumta dhe mesa duket është keqkuptuar.

A i referohet vërtet dialektit geg Danny DeVito?

Se për çfarë bëhet fjalë na sqaron profesori i njohur arbëresh Matteo Mandala, një nga njohësit me të shkëlqyer të gjuhës, historisë dhe traditave arbëreshe, por natyrisht edhe të gjuhës shqipe.

Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, albanologu thotë se kemi të bëjmë me një etnonim, pasi kur arbëreshët u vendosën në Kalabri nuk ekzistonte fare ndarja dialektore e shqipes në gegërisht dhe toskërisht.

Mandala: Nuk bëhet fjalë për gegërishten. Ai e thotë qartë se gjyshja ishte arbëreshe me prejardhje nga Kalabria. Kur kanë ardhur arbëreshët në Kalabri nuk ekzistonte fare një nëndarje dialektore midis gegëve dhe toskëve, ose gegërishtes dhe toskërishtes. Është një anakronizëm historik që vetëm ata që nuk njohin historinë e gjuhës shqipe mund ta pohojnë.

Kemi të bëjmë etnonim që është quajtur që në kohën kur e ka studiuar i madhi profesor Çabej në punimin doktorant të tij që është mbrojtur në Vjenë në 1983, shpresoj të botohet dhe në gjuhën shqipe sa më shpejt.

Një studim shumë i rëndësishëm mbi të folurën arbëreshe. Çabej sqaroi se ishte mënyra që përdornin italianët e Kalabrisë kur quanin arbëreshët “gjegj”. Rridhte nga folja “gjegjen”, dëgjoj, urdhëro, me të cilën arbëreshët i përgjigjen një pyetje ose kur thirren në emër nga një person që do respektuar.

Pak më vonë është marrë me këtë çështje edhe profesor Françesko Solano në një shkrim që është botuar te revista “Zjarri” në 1973. Ka polemizuar me një shkrim që është botuar po atë vit në një revistë italiane duke pohuar që ishte një anakronizëm të flasësh për gegë dhe toskë, duke ju referuar arbëreshëve në Itali.

Për më tepër tha se ishte një etnonim që ishte përhapur në mjediset kalabreze, ku gjuha shqipe, arbërishtja, nuk ishte kuptuar. Në fund e ngatërroi situatën një gjerman, një gjuhëtar i njohur, i cili e kishte përmbledhur këtë fjalë në shumë vise të Kalabrisë, duke i dhënë kuptimin geg.

Fjalën e fundit ja ka dhënë Francesco Altimari, fjala “gjegj” lidhet me foljen “gjegjen” me të cilën arbëreshët u përgjigjen italianëve që nuk kuptojnë arbërishten.

Dua të sqaroj se ka elementë që sot quhen gegë në të folurën arbëreshe, por kjo nuk ka të bëjë me gegërishten, por me historinë e gjuhës shqipe para se shqipja të njihte ndarjen dialektore. Kemi ato trajta që sot i njohim si geg, kur në fakt ishin pjesë e gjuhës së përbashkët shqipe.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.