Kush do e gëzojë pasurinë e madhe të Berlusconit?

Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi vdiq dje më 12 qershor nga leucemia në moshën 86-vjeçare.

Përveçse ishte kryeministër i Italisë, Silvio Berlusconi ndërtoi edhe një perandori biznesi. Sipas gazetës spanjolle Marca, pasuria e tij vlerësohet në 6.8 miliardë dollarë. Kjo përfshin pjesën e Berlusconit në klubin e futbollit Monza dhe kompaninë e tij televizive.

Çfarë do të ndodhë me pronën e tij?

Sipas ligjit italian, dy të tretat do të ndahen mes fëmijëve të tij, ndërsa e treta e mbetur do të shpërndahet sipas dëshirës së tij. Berlusconi ka gjithsej pesë fëmijë, të cilët i pati në dy martesa.

Vajza e tij e madhe, Maria Elvira, e njohur më mirë si Marina, lindi në vitin 1966 dhe nëna e saj është Carla Elvira Dall’Oglio, gruaja e parë e Berlusconit. Me të, ai pati edhe një djalë, Pier Silvio, i lindur në vitin 1969.

Me Veronica Laria, një aktore italiane, Berlusconi pati tre fëmijë: Barbara (1984), Eleonora (1986) dhe Luigi (1988).

Në kohën e vdekjes së tij, Berlusconi ishte i martuar me Marta Fascina, një politikane 33-vjeçare nga partia e tij Forza Italia. Nuk dihet nëse ajo do të marrë një “copë nga tepsia e madhe e byrekut të shijshëm”.