Largoi ‘kumbarin’ që e rriti në KGB, çfarë po sinjalizon Putin?

Në Rusi ndryshoi gjithçka në mënyrë që të mos ndryshojë asgjë. Të paktën për momentin. Vladimir Putin ka prezantuar riformatimin e qeverisë së tij të re, duke larguar ministrin e mbrojtjes, Sergej Shoigu, që mbante postin prej vitit 2012.

Në vendin e tij, pra në drejtim të luftës në Ukrainë, vjen ish-zëvendëskryeministri i diplomuar për ekonomi, Andrej Belusov, i cili nuk ka asnjë eksperiencë në fushën e mbrojtjes. Thënë ndryshe, tani shefi i Kremlinit mbetet udhëheqësi i vetëm i operacionit në Ukrainë.

Në këtë valë largimesh, presidenti rus la pa punë Nikolai Patrushev, ish kumbarin e tij në shërbimin sekret sovjetik, KGB. Shoigu mori drejtimin e Këshillit të Sigurisë të Federatës, organ ky tepër i rëndësishëm pasi përcakton se çfarë përbën kërcënim dhe masën e reagimit, përfshirë këtu edhe përdorimin e arsenalit bërthamor.

Analistët ndërkombëtarë mendojnë se riformatimi i qeverisë në aspektin ushtarak, përbën një ndryshim domethënës në këtë mandat të pestë të Putin, pasi tregon thyerjen e parë reale në mbi 2 vite luftë në Ukrainë.

Mbërritja e Belusov në Ministrinë e Mbrojtjes, sinjalizon një luftë që do të zgjasë dhe për shumë gjatë, pasi Moska po përshtat ekonominë e saj për këtë.

Ukraina ka dashur ta surprizojë shefin e ri të ushtrisë ruse, duke lëshuar raketa në rajonin e Belgorodit.

Sipas raportimeve, 19 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë mbetën të plagosur. Moska është kundërpërgjigjur duke sulmuar aeroportin e përdorur për bombardimet në Belgorod.