Malcolm për politikat osmane që i nxiti shqiptarët të shndërrohen në myslimanë: Jomyslimanët paguanin taksa më të larta

Noel Malcolm, historiani i njohur britanik është duke dhënë një intervistë në Pressing të T7.

Ai ka folur edhe për konvertimin e shqiptarëve në fënë Islame gjatë periudhës osmane.

Ka përmendur edhe taksat që është dashur të paguajnë më shumë shqiptarët jomyslimanë.

”Mendoj se është e qartë, nga shumë analiza të mira historike, të mbështetura në dokumente të Arkivave të Stambollit dhe llojeve të tjera të dëshmive. Përgjigjja është jo. Forca nuk ishte faktor i rëndësishëm. Në mënyrë shumë të jashtëzakonshme, në disa raste, pas një revolte, një zonë mund të ketë pasur një lloj të masave të paqësimit, të cilat mund ta përfshinin, të paktën në letër, detyrimin e njerëzve që të konvertoheshin, por këto ishin përjashtime absolute, kjo nuk ishte gjëja e zakonshme”.

“Ka shumë studime për islamizimin në periudhën e hershme osmane, është temë shumë e ndërlikuar. Përshtypja e përgjithshme është se (konvertimi) ishte pothuajse gjithmonë vullnetar, se arsyet, motivet për individët mund të kenë qenë shoqërore dhe financiare, deri në një shkallë, sepse jomyslimanët paguanin një taksë tjetër, haraçin e famshëm ose “jizyah”, por mos harroni që, kur bëheshe mysliman, ju e paguanit zeqatin, taksën e armatimit, që ishte formalizuar dhe të krishterët e nuk epaguanin atë. Nuk do të them presioni, por nxitjet shoqërore, nganjëherë, nëse një anëtar i familjes suaj ishte bërë mysliman dhe kishte karrierë të mirë e kishte ndikim, ju mund të donit që t’i bashkoheshit atij për të përfituar më shumë nga ndihma dhe mbështetja e tij. Kur një grup njerëzish në një fshat konvertoheshin, disa prej të tjerëve mund të dëshironin që t’u bashkoheshin, nëse ata ishin grupi mbizotërues. Sigurisht, çështja e taksave në një periudhë u bë një lloj presioni financiar, sepse, edhe pse mendoj se sistemi i përgjithshëm nuk ishte në masë të rëndë kundër të krishterëve, në kohë lufte, për shembull, ata vendosnin taksa të posaçme, ato ishin kryesisht për njerëzit jomyslimanë, pra kishte faktorë të ndryshëm”.

“’Një faktor që unë nuk po e përfshij shumë, është ai të cilin ne do ta mendonim si motivi fetar. Kur ne sot mendojmë për konvertimin e njerëzve, mendojmë pothuajse tërësisht për besimin fetar dhe mendoj se kjo është anakronike, nëse mundohemi që ta analizojmë periudhën e islamizimit osman. Dimë shumë pak për atë se në çka besonin njerëzit, por feja përgjithësisht ishte një lloj besnikërie shoqërore ndaj komunitetit dhe ishte një lloj “magjie”.

“Doje të kishe lutje nga një prift, kur të mbjellat tua po shkonin dëm në një verë të thatë. Doje lutje, kur babai yt ishte i sëmurë në shtrat. Islami mund ta ofronte këtë “magji”, gjithashtu. Secila fe në atë periudhë varej shumë nga dëshira e njerëzve për këtë që unë e quaj “magji”. Është fjalë e thjeshtë, por e dini, këto lloje të përfitimeve që ata i perceptonin. Pra, nuk ishte ndryshim aq i madh në aspektin praktik dhe nuk mendoj se njerëzve u kërkohej që të kenin besim për atë se a besoj unë në trini apo jo. Ky është qëndrim shumë modern. Pra, më vjen keq, kjo është përgjigje e gjatë për pyetjen tuaj të parë. Forca? – Jo. Konvertimet e shqiptarëve në Kosovë? Po, mendoj se vinin edhe nga katolikët, edhe nga ortodoksët. Kishte më shumë katolikë përgjithësisht, por kishte ortodoksë shqiptarë në pjesë të Kosovës, gjithashtu, dhe, në disa raste, në arsye përfshihej një faktor tjetër”, ka thënë ai.