Më shumë se 30 automjete, vila, banesa, restoranti – Konfiskohet pasuria e Radoiçiqit

Më shumë se 30 automjete, një vilë, një banesë, një restorant, e pasuri të tjera i janë konfiskuar kreut të grupit që e organizoi sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiq. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, publikoi listën e pasurisë së konfiskuar e sekuestruar dhe njoftoi se 31 mjete transportuese të kapura në Banjskë i janë dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës.

Automjetet që Milan Radoiçiqi e grupi i tij i lanë prapa pas sulmit terrorist në Banjskë, nga tani e tutje do të jenë në shfrytëzim të Policisë së Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se vendimi për 31 mjetet transportuese të sekuestruara është marrë, pas vendimit të gjykatës për konfiskimin e tyre.

“Pra, janë 31 mjete transportuese, të cilat janë të konfiskuara dhe të cilat Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Republikës së Kosovës për nevojat të cilat i ka, pra për shfrytëzim të këtyre mjeteve transportuese”, ka thënë Haxhiu.

Një ditë më parë, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar e Konfiskuar ka nisur zbatimin e urdhrit ndalues edhe për pronat e tjera të udhëheqësit të grupit që kreu sulmin e 24 shtatorit.

Pas vilës së Radoiçiqit, të enjten janë konfiskuar edhe pronat e tjera të njeriut që është duke u strehuar në Serbi.

Në mesin e tyre edhe restoranti “Grey” e banesa e tij në ndërtesën e njëjtë në Mitrovicën veriore.

Ministrja Haxhiu ka publikuar listën e pasurisë së konfiskuar e të sekuestruar. Ndër to edhe vetura, motorë dhe një barkë.

“Dokumentet më poshtë janë lista të gjata të pasurive të shumta të konfiskuara dhe të sekuestruara të një kryekrimineli që vetë është bërë milioner ndërkohë që qytetarët e komunitetit serb i ka përdorur përmes frikës, kërcënimit dhe shantazhit. Pra, për vete milioner përmes krimit, e qytetarëve terrorin dhe varfërimin. Por, kjo epokë ka marrë fund. Ka ardhur koha që qytetarët të jetojnë të qetë e kriminelët të ndëshkohen”, thuhet në shkrimin e saj.

Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, grupi në krye me Radoiçiqin, përveç mjeteve të ndryshme, la pas edhe një sasi të konsiderueshme të armatimit.

Institucionet e Kosovës vlerësuan se arsenali kap vlerën prej 5 milionë eurosh.