Mediat gjermane sulm ndaj Serbisë: Beogradi “po shpik” eksodin, s`ka largim masiv të serbëve nga Kosova

Eksodi masiv i serbëve nga Kosova, është thjesht një legjendë e Beogradit sipas të përditshmes së njohur gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Dhe atë e rrëzojnë vetë statistikat zyrtare të shtetit serb, shkruan Michael Martens. Martens thotë se “numri i serbëve në Kosovë ka vite që është në rënie të vazhdueshme, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për numrin e popullsisë në Serbi, përveç Beogradit, Novi Sadit dhe disa qyteteve të tjera”. Korrespondenti i FAZ bazohet për këtë pohim në përllogaritjet e “Iniciativës Europiane për Stabilitet” (ESI).

Ajo ka shqyrtuar “shifra të disponueshme publike të qeverisë që lejojnë të nxirren përfundime mjaft të sakta për numrin e serbëve”. Kështu, ESI analizon shifrat e sigurimit shëndetësor të Serbisë. Sipas tyre “në vitin 2017 kishte ende 109.000 serbë të siguruar në Kosovë”, por “gjashtë vjet më vonë kishte më pak se 107.000”. Nga kjo del që rënia për Kosovën është 2.4%, por ndërkohë për Serbinë vetë, “rënia në të njëjtën periudhë ishte akoma më shumë, 2.9%.”

Zyra e Statistikave e Serbisë, citon FAZ, raporton një rënie drastike të numrit të nxënësve (serbë) që ndjekin shkollat fillore në Kosovë: nga 14.500 në vitin 2004 në 10.700 në vitin 2021. Ama edhe në Serbi rënia është e njëjtë: “këtu sipas të dhënave zyrtare shtetërore shifrat ranë me 23%.

Shkrimi del në përfundimin se “evolucioni demografik i pakicës serbe në Kosovë i përgjigjet tendencave të përgjithshme në të gjithë Evropën Juglindore për vite me radhë. Si rezultat i një kombinimi të niveleve të ulëta të lindjeve, emigrimit të lartë dhe mungesës së tërheqjes për emigracionin, numri i popullsisë po bie në fakt, në të gjitha vendet e rajonit”.