Muxhahedinët iranianë protestojnë përpara ambasadave të Shqipërisë në Europë

Muxhahedinët iranianë po zhvillojnë protesta përpara gjithë ambasadave shqiptare në Europë për ngjarjet e zhvilluara paraditen e kësaj të marte në ambientet ku qëndron organizata MEK në Shqipëri.

Sipas muxhahedinëve kanë qenë rreth 1000 policë që i kanë sulmuar  në ambientet ku qendrojnë. Ata bëjnë me faj policinë duke pretenduar se kanë hedhur gaz lotsjellës dhe spraj piper kundrejt tyre si dhe i kanë thyer sende personale. Gjithashtu ata fajësojnë policinë se kanë qenë shkak që në kampin e tyre pati edhe një viktimë.

Në Paris, Francë, mbështetësit e Rezistencës Iraniane u mblodhën para ambasadës shqiptare dhe paralajmëruan se qetësimi i regjimit të mullahëve dhe negocimi me ta vetëm do t’i hapë rrugën vrasjeve dhe krimeve.

Në Hagë të Holandës, mbështetësit e rezistencës iraniane u mblodhën përpara ambasadës shqiptare dhe bënë thirrje për t’i dhënë fund marrëveshjeve dhe lidhjeve me regjimin e mullahëve.

“Turp për këtë marrëveshje!” Mbështetësit e Rezistencës Iraniane kanë bërtitur përpara konsullatës shqiptare në Essen të Gjermanisë.