Në Prishtinë u shënua Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit

Në ceremoninë e shënimit të kësaj dite në bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” morën pjesë liderët e Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, përkrah ambasadores izraelite në Kosovë, Tamar Ziv.

Kjo ditë shënohet botërisht më 27 janar. Ajo i referohet 27 janarit 1945 kur ushtarët e Ushtrisë së Kuqe i çliruan të mbijetuarit e kampit të koncentrimit Aushvic në Poloni. Nazistët i vranë më shumë se 1 milion njerëz atje, kryesisht hebrenj.

Përveç vrasjeve në këtë kamp, gjenocidi i kryer kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, i njohur si Holokaust, ka rezultuar me vrasjen sistematike të rreth 6 milionë hebrenjve.