Florida, SHBA/ “A do caktoni avokat për mua?”, shqiptari i akuzuar për vrasjen e ish-gruas në sy të vajzës del para gjykatës

Renato Muhaj, 34-vjeçar, ka dalë para gjykatës në SHBA, pasi akuzohet për tetë vepra penale, ku më e rënda ajo e vrasjes së ish-partneres së tij, Suela Saliaj.

Prokuroria në Florida, ka deklaruar se krimet e 34-vjeçarit kanë ndodhur në një hark të shkurtër kohor.

Gjyqtari i lexoi atij listën e gjatë të akuzave që rëndojnë mbi të, duke i vendosur 50 mijë dollarë si garanci pasurore dhe e njoftoi se nuk do të ishte e mundur ta përdorte këtë të drejtë, për shkak të akuzës së vrasjes.

Në seancë, gjykatësi u sigurua se Muhaj nuk do të jetë më në gjendje të shohë vajzën e tij, nëse ndonjë ditë do të dalë nga burgu.

Vetë 34-vjeçari në gjykatë nuk ka shfaqur asnjë lloj emocioni, ndërsa pyetja e vetme e tij ishte: “A do caktoni avokat për mua?”.

Ndërkohë që gjyqtari i tha se “Po”, duke i treguar se avokati i tij ishte në sallë.