Një muaj pas rrëzimit të avionit, katër fëmijë të gjetur të gjallë në pyllin tropikal

Katër fëmijë nga një komunitet indigjen në Kolumbi janë gjetur të gjallë në jug të vendit më shumë se pesë javë pasi avioni me të cilin po udhëtonin u rrëzua në xhungël të dendur, tha të premten presidenti kolumbian Gustavo Petro.

Fëmijët u shpëtuan nga ushtria pranë kufirit midis provincave Caqueta dhe Guaviare të Kolumbisë, afër vendit ku u rrëzua avioni i vogël.

“Gëzim për të gjithë vendin! Katër fëmijë të zhdukur… të humbur… në xhunglën kolumbiane dolën të gjallë”, tha Petro përmes Twitter.

Avioni i vogël Cessna 206 mbante shtatë persona në rrugë midis Araracuara, shteti Amazonas dhe San Jose del Guaviare, një qytet në shtetin Guaviare, por raportoi një alarm për dështimin e motorit në orët e hershme të mëngjesit të 1 majit.

Tre të rritur, përfshirë pilotin, vdiqën si pasojë e përplasjes dhe trupat e tyre u gjetën në avion. Katër fëmijë të moshës 13, 9 dhe 4 vjeç, si dhe një foshnjë 11 muajshe i mbijetuan rënies.

Informacioni fillestar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili po koordinonte përpjekjet e shpëtimit, sugjeroi se fëmijët u arratisën nga avioni dhe u drejtuan në pyllin tropikal për të kërkuar ndihmë.

Ekipet e shpëtimit, me mbështetjen e qenve të kërkimit, gjetën më parë fruta të hedhura, të cilat dyshohet se i hëngrën fëmijët dhe strehimore të improvizuara të bëra nga bimësia e xhunglës.

Në operacionet e shpëtimit morën pjesë avionë dhe helikopterë të ushtrisë dhe forcave ajrore kolumbiane.