Paralajmërohet qëndrim i QUINT-it për referendumin e bojkotuar në veri

Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerrot, ka vizituar qendrat e vendvotimeve në veri ku po zhvillohet referendumi – i bojkotuar nga banorët lokalë – për largimin e kryetarëve shqiptarë; për çka tha se shkoi për të parë nga afër gjendjen.

“Unë nuk jam në gjendje të komentoj ngjarjet. Unë jam këtu në kuadër të aksionit të përbashkët të ambasadave të BE-së dhe Turqisë, të cilat u organizuan për të ardhur dhe për të vizituar qendrat e votimit. Kam vizituar disa në Mitrovicën e Veriut dhe do të vizitoj edhe disa në Zveçan”, tha ai.

“Unë nuk jam në gjendje të komentoj atë që kam parë, do të komunikohet kolektivisht në fund të ditës. Është e rëndësishme që ne të marrim një mendim se si janë gjërat. Por sot, pasi është dita e votimit, nuk jam në gjendje të komentoj përmbajtjen”, tha ambasadori, siç e citoi Radio KiM.