Vuçiç mbledh misionin serb në OKB: Shanset tona s’janë të mëdha

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në prag të seancës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), u shpreh pesimist se do të nxjerrë ndonjë rezultat nga takimet që pritet t’i ketë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ndonëse shtoi rezultatet do të shihen.

“Në misionin tonë në OKB në Nju Jork është formuar një seli e vërtetë, së shpejti një video-konferencë me njerëzit tanë në Beograd, ndërsa në Nju Jork pasojnë takimet me më shumë se 120 përfaqësues të përhershëm të vendeve të ndryshme të OKB-së. Shanset tona nuk janë të mëdha, por do të luftojmë për Serbinë dhe, më besoni, njerëzit do t’i shohin rezultatet”, tha ai.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut është caktuar për 22 prill 2024, ndërsa në raportin që i referohet periudhës nga 19 shtatori 2023 deri më 15 mars 2024, një pjesë e madhe i kushtohet ngjarjeve të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Ndryshe, presidenti serb do të përballet edhe me një sfidë tjetër: rezolutën e propozuar nga Gjermania dhe Ruanda për njohjen e gjenocidit serb në Srebrenicë të Bosnje-Hercegovinës. Kjo rezolutë synon ta shpallë 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Ajo pritet të votohet në fillim të majit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.