Presidenti i ri malazez: Më mirë të jesh pjesë e Ballkanit të Hapur, se sa të mbyllur

Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviç është shprehur se çështjen e anëtarësimit në Ballkanin e Hapur do ta trajtojë qeveria e ardhshme dhe parlamenti.

Presidenti në ardhje deklaroi se më mirë është të marrim pjesë si Mali i Zi në Ballkanin e Hapur se sa të mbetemi jashtë saj.

“Ideja e Bashkimit Evropian (BE) u lind si ideja e bashkëpunimit ekonomik rajonal midis vendeve të Beneluksit, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Ne në Ballkan, shpesh harrojmë rëndësinë e integrimeve tona rajonale ekonomike kur flasim për integrime evropiane. Përmirësimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal është diçka për të cilën gjithmonë kam punuar si ekonomist”, ka thënë Milatoviç.

Ndër të tjera ai ka thënë se prioritet i të gjitha prioriteteve është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe “përderisa ky është qëllimi ynë kryesor, nuk shoh asnjë problem në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal në të njëjtën kohë”.

Gjithashtu Milatoviç është shprehur se mendon se një gjë e tillë do të jetë dhe ndihmë për integrimet në BE.

Ndërkohë presidenti në largim, Milo Gjukanoviç ka qenë kundër pjesëmarrjes në këtë iniciativë gjersa kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç ka marrë pjesë si vëzhgues.