Projektohet në 3D fytyra e Ava-s, vajzës që jetoi 3800 vjet më parë

Në vitin 1987, punëtorët skocezë zbuluan rastësisht varrin e një gruaje të epokës së bronzit gjatë një projekti ndërtimi rrugësh. Varri prej guri i ngjashëm me një arkivol përmbante mbetjet skeletore të një gruaje së bashku me sendet e varrit, duke përfshirë një filxhan qeramike, një fragment kocke lope dhe copa të vogla stralli.

Varrimi në Achavanich, në Skocinë veriore, u bë i njohur si Varrimi Achavanich Beaker. Por nuk dihej shumë për gruan, të cilës arkeologët i vunë nofkën Ava, përtej asaj që përcaktuan përmes analizave antropologjike.

Ajo ishte midis 18 dhe 25 vjeç kur vdiq, dhe bazuar në matjet e tibisë së saj (këmba e poshtme), ajo ishte afërsisht 1.71 metra e gjatë, sipas një studimi të publikuar më 22 qershor.

Bazuar në sendet e varreve rreth saj, shkencëtarët supozojnë se Ava ishte pjesë e kulturës “Bell Beaker” të epokës së bronzit, e cila ishte e zakonshme në Evropë gjatë kësaj periudhe dhe e njohur për enët e saj të pirjes së rrumbullakët qeramike.

Tani, një imazh i ri ofron një paraqitje të shkurtër se si mund të ishte dukur kjo grua misterioze.

Për të krijuar një paraqitje tredimensionale të fytyrës së saj, shkencëtarët përdorën skanime CT të kafkës së Ava-s – supozohet se Ava ka jetuar rreth 3800 vjet më parë.

Megjithatë, për shkak se kafkës i mungonte një nofull e poshtme, ekipi përdori të dhënat e mbledhura nga skanimet CT të individëve të gjallë për të bashkuar imazhin përfundimtar, tha studimi.

“Falë të dhënave anatomike, statistikore dhe logjike, ishte e mundur të rindërtohej fytyra e saj edhe pa nofullën e poshtme,” tha autori i studimit Cícero Moraes, një ekspert brazilian.

Gjithashtu, në vitin 2018, ADN-ja e saj u analizua dhe u përcaktua se ajo ka shumë të ngjarë të kishte sy kafe dhe flokë të zinj dhe se “lëkura e saj ishte pak më e errët se skocezët e sotëm”, ​​shkruan studiuesit në studimin e ri.