Nga babai te djemtë/ Mërnica, një familje vrasësish! Historitë problematike

Kur kanë kaluar 24 orë nga ekzekutimi i oficerit të policisë Novruz Cenalia, ende nuk ka asnjë gjurmë nga autori i dyshuar. 23-vjeçari Azgan Mërnica u largua menjëherë pas ngjarjes dhe pasi braktisi makinën së bashku me telefonin celular, u zhduk. Forca të shumta policie vijojnë kontrollet për kapjen e tij dhe sipas asaj që mëson gazetarja Anila Sefa, dyshimet e policisë së Fierit dhe RENEA-s janë se 23-vjeçari fshihet në zonën e Apolonisë dhe Havaleas.

Ka dyshime se së paku, ai ka kaluar në zonën e Apolonisë, ndaj dhe aktualisht po kryhen kontrolle edhe nëpër banesa. Mërnica konsiderohet i rrezikshëm, pasi me vete dyshohet se mban edhe armën e krimit.

Ndërkohë, mësohet se 23-vjeçari vjen nga një familje me një histori të gjatë për përfshirjen në ngjarje kriminale. Sipas saj, babai i tij ka vuajtur dënimin me 20 vjet heqje lirie për vrasjen e kunatit. Njëri prej vëllezërve ndodhet aktualisht në burg, i dënuar me 19 vjet heqje lirie për një vrasje të ndodhur në 2019-n. Edhe vëllai tjetër vuan po ashtu dënimin me burg në Gjermani. Në rastin e tij mbetet e paqartë se për çfarë është dënuar.

Teksa hetimet e policisë vijojnë dhe me kapjen e autorit të dyshuar pritet që të ketë një panoramë më të qartë të shkaqeve që çuan në vrasjen e efektivit të “Shqiponjave”, nëna e 23-vjeçarit Mërnica ka rrëfyer se vrasja ndodhi për shkaqe banale. Gruaja e cila ndodhej në makinë me të birin, para hetuesve ka treguar se palët janë zënë për rrugën e ngushtë të fshatit. Shkëmbimi i fjalëve nga makina bëri që të dy të dilnin jashtë. Aty 23-vjeçari Mërnica nxori armën dhe e qëlloi me plumb në kokë efektivin Cenalia.

Në foto viktima, Novruz Cenalia, 28 vjeç

Ai gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes, te ajo rrugë që me gjasë bënte çdo ditë për të shkuar në punë, ashtu si dhe mesditën e së hënës.

Novruz Cenalia do të përcillet për në banesën e fundit paraditen e së mërkurës. Policia e Fierit njoftoi se po nesër “në orën 10:00, në Kinoteatrin e qytetit të Fierit, zhvillohet ceremonia homazh në përkujtim dhe mirënjohje të kolegut tonë që ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare, Nevruz Cenalia“./TV Klan