Qytetari serb nga veriu: Po pres ta marr pasaportën e Kosovës

“Po pres të më njoftojnë për të shkuar për ta marrë pasaportën e Kosovës”, thotë Nenadi nga Mitrovica e Veriut, i cili do që të udhëtojë pa regjim vizash.

Vendimin për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës e mori pasi dëgjoi nga mediat se qytetarët e Kosovës do të kenë me siguri liberalizim vizash.

Nenadi dëshiron të udhëtojë, sepse, siç thotë, ka shumë të afërm dhe miq në vendet perëndimore.

“Nuk kam mundur, sepse nuk kam dashur… Si ta them pa u treguar i vrazhdë… jam shtypur me atë pasaportën e qendrës së koordinimit që është lëshuar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Bashkëqytetari i tij, Zorani, thotë se nuk e njeh “pasaportën e Kosovës”.

“Ajo që kanë marrë ata, është e turpshme. Nuk do ta merrja kurrë pasaportën e tyre, pra atë të Kosovës, edhe me çmimin që nuk dal kurrë prej vendit”, thotë Zorani.

Parlamenti Evropian ka miratuar më 18 prill vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, në bazë të të cilët qytetarët e vendit do të mund të udhëtojnë lirshëm në 27 shtete të Evropës, që përbëjnë zonën Schengen.

Një ditë më vonë, akti ligjor i BE-së për liberalizimin e vizave është nënshkruar po ashtu në Parlamentin Evropian.

Vendimi për lëvizje të lirë pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, por regjimi i vizave do të vazhdojë të mbetet në fuqi për ata qytetarë të Kosovës që pasaportat i marrin nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Për këta qytetarë nuk ka vlejtur kurrë as liberalizimi i vizave për Serbinë, i cili ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2009.

Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në lidhje me pajisjen e qytetarëve serbë me pasaporta të Kosovës, janë këto:

E ndikuar nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj.

“Duhet t’i besojmë vendit tonë, Serbisë”

Zorani, i cili jeton në Mitrovicë të Veriut, beson se do të gjendet zgjidhje edhe për pasaportat e Administratës Koordinuese, të cilat i lëshon Serbia.

“Unë mendoj se do të vijë zgjidhja, njerëzit le të jenë të durueshëm, ne duhet të besojmë në vendin tonë – Serbinë”, shprehet ai.

Darkoja, një tjetër qytetar i Mitrovicës së Veriut, thotë se nuk është i gatshëm ta nxjerrë pasaportën e Kosovës, por nuk pret as nga Serbia që ta zgjidhë çështjen e pasaportave të lëshuara nga Administrata Koordinuese.

“Gjithçka është gënjeshtër. Madje, edhe shteti ynë – Serbia – nuk është shumë i sjellshëm me ne. Edhe nënë, edhe njerkë, kryesisht njerkë”, thotë Darkoja.

Për këto arsye, ai thotë se nuk udhëton.

“Ne nuk duam të jemi qytetarë të kësaj ‘kuazi-republike’”, thotë ai.

Bojan Milletiq, në anën tjetër, thotë se nuk e di se çfarë do të bëjë për çështjen e pasaportës.

“Nuk kam ndonjë qëndrim për këtë, por do të shoh, do të mendoj, pse jo”, shprehet ai.

Zoran Millenkoviq thotë se, me siguri, nuk do ta marrë pasaportën e Kosovës. Ai pret zgjidhje nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohen në Bruksel.

“Do të bëhet diçka që ne serbët ta kemi atë pasaportë serbe, ndoshta. Nuk e di tani, gjithçka varet se si do të na trajtojnë ata nga Serbia”, thotë ai.