SHBA-ja e Britania i kërkojnë Serbisë t’i heqë menjëherë barrikadat në veri

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe në Beograd kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me zhvillimet e fundit në veri, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it nga grupet kriminale serbe.

Në deklaratën e publikuar të dielën iu bë thirrje serbëve që t’i heqin barrikadat dhe t’iu jepet fund kërcënimeve.

“Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklarim.

Ambasadat theksuan se arrestimi i ish-drejtorit të Policisë së Kosovës në veri po përdoret si pretekst për të vendosur barrikada bllokuese

Deklarata e plotë:

Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës. Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.

Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare.

I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese.


Ambasadat e Britanisë së Madhe në Prishtinë e Beograd kërkojnë të hiqen barrikadat

Ambasadat e Britanisë së Madhe në Prishtinë dhe në Beograd kanë bërë thirrje që të hiqen barrikadat e vendosura nga serbët në veri, derisa punën e NATO-s thanë se e mbështesin plotësisht.

Në një deklarim të përbashkët, të publikuar të dielën, u tha se presin që barrikadat të hiqen e kërcënimet e dhunës dhe të frikësimit të ndalohen.

Deklarata e plotë:

Së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës pas ndalimit të një individi të dyshuar për përfshirje në një sulm ndaj autoriteteve kosovare. Ky arrestim nuk është justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, as kërcënime dhe frikësim ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.

Ne presim që të gjitha pengesat ilegale të çmontohen dhe t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne vlerësojmë dhe mbështesim plotësisht Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) në punën e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe kontributin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në mbështetjen e autoriteteve kosovare për sundimin e ligjit. Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare.

U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin retorikën nxitëse dhe të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës. U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të veprojnë me përmbajtje dhe që autoritetet e Serbisë të përdorin ndikimin e tyre për të arritur një depërshkallëzim të situatës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mjeti për të zgjidhur konfliktet dhe për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara.