Shqipëria u përgjigjet kritikave të UNESCO-s për Gjirokastrën dhe Beratin

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO u kërkoi një vit më parë autoriteteve të Shqipërisë finalizimin me urgjencë të Planit të Menaxhimit të Integruar për Gjirokastrën dhe Beratin, qytete që mbrohen si trashëgim botërore.

Autoritetet shqiptare deklarojnë në raportin e dorëzuar në UNESCO se kjo nuk është bërë ende dhe i arsyetojnë vonesat me largimin nga Instituti i Trashëgimisë të gjithë ekipin që punonte për Planin e Menaxhimit, raporton “Zëri i Amerikës”.

Ndërsa raporti i Shqipërisë për gjendjen e konservimit të Beratit dhe të Gjirokastrës u publikua në faqen e UNESCO-s, ai ende nuk ka ndodhur për Butrintin, për të cilin raporti duhej të dorëzohej nga pala shqiptare më 1 shkurt.

UNESCO-ja publikoi në faqen e vet raportin e Shqipërisë për gjendjen e konservimit të “Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës”. Raporti është përgatitur nga Ministria shqiptare e Kulturës dhe Ekonomisë në përgjigje të vendimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që u mbajt në shtator të vitit të shkuar në Arabinë Saudite.

Sipas raportit, Berati dhe Gjirokastra ende nuk kanë të finalizuar një plan të menaxhimit të integruar, megjithëse procesi me mbështetjen ndërkombëtare ka nisur që prej vitit 2019 dhe është kërkuar të përfundojë me urgjencë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore në sesionin e 45 të UNESCO-s që u mbajt vitin e shkuar në Arabinë Saudite, nuk ishte bërë i njohur më parë për opinionin shqiptar, por paragrafe të tij zbulohen nga raporti i dorëzuar këto ditë nga Shqipëria.

Në paragrafin 2,3 vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore shprehej “se vërente me keqardhje dështimin e shtetit palë (Shqipërisë) për të zbatuar plotësisht asistencën ndërkombëtare të dhënë për zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar për Beratin dhe Gjirokastrën në bashkëpunim me sektorët qeveritarë dhe qytetarët”.

“Vendimet e mëparshme të Komitetit, thuhej më tej nga UNESCO, i kërkojnë shtetit palë që të finalizojë Planin e Menaxhimit si çështje urgjente, duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore”, shkruhet në Raport.

Përderisa UNESCO-ja ka kërkuar me urgjencë përfundimin e Planit të Menaxhimit, autoritetet shqiptare janë përgjigjur se ky proces nuk ka përfunduar edhe tani pasi i gjithë ekipi i punës së Institutit të Trashëgimisë Kombëtare që ishte i angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga ky institucion.

“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka dorëzuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore një draft të planit të menaxhimit më 16 shkurt të vitit 2023, ndërsa komentet i janë dërguar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore më 16 mars të vitit 2023”, thuhet në raportin e Shqipërisë.

Raporti vijon më tej se “rishikimi i draftit të Planit të Menaxhimit pas komenteve të ekspertëve të ICOMOS dhe ICCROM nuk ka përfunduar plotësisht brenda afateve kohore të përcaktuara në kontratë, për shkak të disa vështirësive”, shkruhet aty.

Raporti thotë se “aktualisht stafi i Institutit i Trashëgimisë Kombëtare është i reduktuar dhe pa përvojën e nevojshme në përgatitjen e një plani të integruar të menaxhimit për të dyja qendrat historike”.

Plani i Menaxhimit është një instrument detyrues i UNESCO-s për sitet e trashëgimisë botërore që duhet të rregullojë menaxhimin dhe mbrojtjen strategjike afatgjate të pasurive kulturore.

Raporti i Shqipërisë për Beratin dhe Gjirokastrën pritet të shqyrtohet në sesionin e ri të Komitetit të UNESCOS që mbahet në Indi në korrik të këtij viti. Gjirokastra u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 15 korrik 2005, ndërsa më 8 korrik të vitit 2008 u regjistrua edhe Berati.

Problematikat e Butrintit mbeten të ndjeshme në opinionin shqiptar jo vetëm për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar, por edhe modelin e ri të menaxhimit.

Qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i një pjese të Butrintit që njihet si zona “A-3” dhe që përfshin qytetin antik të bëhet nga një fondacion i ri ku përfshihet Ministria shqiptare e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme. Edhe UNESCO-ja ka drejtuar kritika të forta ndaj modelit të menaxhimit vetëm të një pjesë të parkut.