Trajneri goditi me shpullë sportistet 18-vjeçare, federata i hoqi licencën dhe e përjashtoi përjetë, vajzat e mbrojnë: Ishte një mënyrë për të na nxehur për ndeshjen

Ndeshja e moshave U-18 në volejboll mes Skënderbeut dhe Dinamos nuk ka qenë e qetë për vajzat korçare. Trajneri i Skënderbeut, Romeo Xega ka goditur me shpullë një nga volejbollistet e tij, në kohën kur ishte duke dhënë udhëzime për vijimin e lojës.

Pamjet po bëjnë xhiron e medieve, teksa një ngjarje e tillë e shëmtuar është filmuar nga kamerat. Në një moment disavantazhi në fushë, trajneri Xega ka kërkuar një minutë pushim për të dhënë udhëzime, teksa ka goditur me shuplakë dy nga vajzat e formacionit.

Volejbollistet e goditura nuk reagojnë, duke u shtangur nga veprimi i trajnerit. Edhe koleget e tyre duken të ‘ngrira’, ndërsa një dhunë e tillë nuk ka vend në sportin shqiptar. Tej adrenalinës në sport, pamje si këto nuk duhet të jenë shembull i një disipline që muajt e fundit ka marrë vëmendje maksimale në Shqipëri.

Pas bërjes publike të rastit, Federata Shqiptare e Volejbollit ka reaguar ashpër me Komisionin e saj të Disiplinës, duke i hequr licencën trajnerit Romeo Xega, teksa e ka përjashtuar përjetë nga çdo aktivitet.

“Romeo Xega i hiqet licensa e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe përjashtohet përgjithmonë nga e drejta zyrtare për të ushtruar, drejtuar e trajnuar çdo lloj ekipi pjesë e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombetare të FSHV-së. Federata Shqiptare e Volejbollit është konsekuente të zbatoj me përpikmëri e të ndëshkoj këdo që thyen Kodin e Etikës e Disiplinës dhe Rregulloren Brendshme duke denigruar figurën e sportit e duke prishur imazhin e lojës së volejbollit”, njofton FSHV.

Një nga vajzat që ka marrë një shpullë nga trajneri Romeo Xega, ka treguar se kjo nuk është dhunë shpulla, por një mënyrë për t’i nxehur për ndeshjen. Sipas saj, prindërit e kanë kuptuar që është një gjest sportiv.

“Ne jemi shumë të afërt, nuk na duket diçka për të bërë bujë, ka qenë diçka emocionale e jona, nuk është e nevojshme që të bëhen gjithë këto komente negative. Ne duhet të jemi të qetë për të ngritur kupën të dielën. Është normale që të ndodhë një ndeshje finale, dhe me afrimitetin tonë dhe të prindërve është normale. Ne nuk kemi reaguar se nuk është ndonjë veprim për të bërë bujë. Nuk është dhunë. Prindërit nuk kanë bërë kush e di se çfarë, e dinë që është diçka normale. Ato kanë qenë në ndeshje, ata na thanë e meritonit një shpullë dhe të sharat e profesorit”, tha një prej vajzave.

Në të njëtën linjë ka qenë edhe një volejbolliste tjetër, e cila tha se ajo shpullë ishte për tërheqje vëmendjeje.

“Ne jemi në prag të një kampionati dhe kërkojmë të marrim titullin kampion dhe kjo është diçka që po mundohen për të na shpërbërë ne, trajneri është shumë i mirë dhe po na motivon. Shpulla, ishte diçka që nuk mund të quhet shpullë, ishte tërheqje vëmendje. Një ekip sportiv e kupton, që nuk është shpullë, por tërheqje vëmendje. Kjo që nuk do të na cmotivojë, por do na motivojë për shumë të fituat titullin kampion dhe për të nderuar profesorin”, tha ajo.

Trajneri Romeo Xega ka sqaruar episodin ku shfaqet duke goditur me shpullë volejbollistet e Skënderbeut. Në Report Tv, Xega tha se ajo nuk ishte dhunë, por një gjest sportiv që një ndeshje e rëndësishme e pranon. Madje ai ka treguar se ka qenë vetë sportistja që e ka kërkuar një gjë të tillë, për “ta shkunduar” përpara ndeshjes.

“2 nga lojtarët e mia kanë kërkuar profesor nuk po reagojmë dot, jemi jo mirë psikologjikisht, jemi në finale. Përmbledhja në atë 2 sekondë, tregon një veprim jo të hijshëm në sport, lojtarja më kërkoi një shpullë profesor që të shkundem dhe pa asnjë veprim të keq, për të krijuar këtë incident, mori përmasa që nuk di si ta shprehë. Realisht për syrin e një njeriu normal është e ekzagjeruar, por ajo hyn në normalitetin e një finaleje. Është si një lloj , i krahasojmë vajzat si çunat, kemi një raport shumë të afëry, si fëmijët, deri më sot mund të quhet rasti i parë që ndodh kjo gjë. Nuk jemi as të parët dhe as të fundi”, tha trajneri.

Ndalur te vendimi i Federatës Shqiptare të Volejbollit ku i hoqën licencën, Xega tha se ishte i nxituar, duke sqaruar se do e apelojnë vendimin. Ai theksoi se përpara se FSHV të merrte vendimin do duhet të bënte një mbledhje mes personat e përfshirë, qoftë sportistin, trajnerin si edhe prindërit.

“Sa i përket vendimit, është i nxituar për shumë arsye. Nuk mund të marrësh një vendim pa mbledhur një bord drejtues, protokolli zyrtar i ndeshjesh, çdo arbitër raportin dhe shënohet, ndeshja ka përfunduar me rregulla. Kur mblidhet një komision, merret një vendim, thirret sportisti, prindërit dhe drejtuesi i ekipit. Do e apelojm