U përplas me jet ski në plazhin e Llamanit 4 ditë më parë, ndërron jetë te Trauma 16-vjeçari

Ka ndërruar jetë 16-vjeçari K.XH i cili u përplas me jet ski pesë ditë më parë në Himarë.

I mituri ka ndërruar jetë këtë të diel në Spitalin e Traumës, pasi pësoi vdekje klinike katër ditë më parë. Aksidenti ndodhi mesditën e së martës në Llaman të Himarës, ku nga përplasja e një mjeti lundrues Jet Ski, mbetën të plagosur shtetasi K. Xh., 16 vjeç, nga Tirana dhe shoku i tij D. K., 17 vjeç.

Kujtojmë që fillimisht u raportua se dy të miturit ishin hedhur nga një shkëmb për t’u larë në det dhe ishin plagosur, por më pas doli se adoleshentët ishin dëmtuar nga përplasja e mjeteve lundruese.

Njoftimi i policisë:

Në Llaman, shtetasit K. Xh. dhe D. K., së bashku me shtetasit U. K. dhe R. P., 17 vjeç, nga Tirana (të katërt shokë me njëri-tjetrin) janë futur në det, me 2 mjete lundruese Jet Ski.

Gjatë manovrave në det, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra – tjetrën dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i njërit mjet Jet Ski, shtetasi K. Xh. dhe pasagjeri, shtetasi D. K.

Shtetasi K. Xh., u transportua në Tiranë,  për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Fillimisht, shtetasit U. K. dhe R. P., si pasojë e tronditjes, kanë dhënë dëshmi të rreme duke thënë se dy shokët e tyre u dëmtuan pasi u hodhën nga shkëmbi në det, por më pas, gjatë hetimeve, kanë deklaruar të vërteten.

Të gjitha veprimet hetimore në lidhje me këtë ngjarje janë drejtuar nga prokurori dhe po në drejtimin e tij vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Procedimi penal ka nisur edhe për shtetasin R. P., 56 vjeç, pronari i mjeteve lundruese Jet Ski, për veprën penale “Shkelja e rregullave teknike në punë”.

Gjithashtu, operatorit turistik me administrator shtetasin R. P., nga ana e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë i janë bllokuar menjëherë të gjitha mjetet lundruese Jet Ski.