Ultimatumi i Wagner për Putinin, Prigozhin: Shteti është i paaftë për të mbrojtur Rusinë

Wagner hedh sytë nga Kremlini dhe kësaj radhe nuk fshihet. Kreu i grupit famëkeq të mercenarëve, Ivgjeni Prigozhin, akuzon ushtarët e ushtrisë së rregullt të Rusisë se kanë lënë pozicionet e tyre në Bakhmut, epiqendër të luftimeve në Ukrainën Lindore.

Akuza e drejtpërdrejtë për shtetin e Putinit është që nuk mundet të mbrojë Rusinë.

“Sot, një nga njësitë e ministrisë së mbrojtjes ka braktisur njërën prej zonave tona. Kanë lënë pozicionet e luftës dhe ia kanë mbathur. Pse shteti nuk arrin që të mbrojë vendin?” Pyet Yevgeny Prigozhin, drejtues i Wagner.

Më tej, Prigozhin lëshoi një ultimatum ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, duke thënë se nëse mercenarët e tij nuk do të marrin furnizimet me armë përpara paradës në Moskë, do të publikonte një video për të treguar të vërtetën e hidhur lidhur me situatën në frontin e luftës.

Kohëve të fundit, kreu i Wagner ka ashpërsuar gjuhën e tij në drejtim të udhëheqësve të Rusisë, veçanërisht ndaj Kremlinit dhe ministrisë së mbrojtjes.

Madje javën e kaluar paralajmëroi me tërheqje të plotë nga beteja për qytetin Bakhmut në Ukrainë, nëse nuk do të merrte armatimet e kërkuara.

Pas negociatave me Moskën, Prigozhin bëri një hap pas duke konfirmuar se do të vijonte luftën, por tashmë duket se marrëdhënia mes aleatëve ka rënë sërish në krizë.