VIDEO/ Supergol në Wembley, Armando Dobra shtang portierin dhe ‘valvit’ flamurin kuqezi në Londër

Chesterfield dhe Notts County barazuan 2-2 pas 120 minutave lojë për Ligën Kombëtare në Angli. Një nga golat e këtij takimi në Wembley të Londrës kishte aromë shqiptare, me sulmuesin e Kombëtares, Armando Dobra që shtangu portierin e County.

Me kohën e rregullt që u mbyll 1-1, Armando Dobra ndezi shpresat për të tijtë në të 93 minutë. Një top i marrë mirë, bëri që djaloshi të futej në zonë dhe me një goditje “alla-Del Piero” t’ia ndalte sferën në rrjetë portierit.

Festa ishte legjitime për sulmuesin, teksa në stadium nuk mungoi flamuri shqiptar. Në minutën e 108 County barazoi për 2-2, me duelin që u vendos pas penalltive.

Pas goditjes së 11 metërshave, Notts County fitoi 3-4 dhe merr të drejtën që nga kjo finale të luajë sezonin e ri në League Two, me skuadrën e Dobrës që nuk ia doli në Wembley.