Vritet polici në Fier, gjakmarrja pistë hetimi

Një efektiv policie 28-vjeçar, Novruz Cenalia, ka mbetur i vrarë ditën e sotme në Fier.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz ku dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, Asllan Mernica ka vrarë me armë zjarri Novruz Cenaliajn, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.

Mësohet se i ati i viktimës punonte në polici, në sallën operative.

  • Identifikohet autori

Autori i krimit është identifikuar si Asllan (Azgan) Mernica.

Pas vrasjes së efektivit 28-vjeçar, autori mësohet të jetë larguar nga vendngjarja me një automjet në ngjyrë blu.

  • Pistat e hetimit

Në njoftimin e policisë thuhet se vrasja dyshohet të ketë ndodhur gjatë një konflikti të çastit. Por burime mediatike bëjnë me dije se një nga pistat e hetimit është edhe hakmarrja, pasi babai i tij, po ashtu polic, ka vrarë një person 9 vite më parë.

“Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.

Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.”– njofton policia.