Vuçiç akuza ndaj Perëndimit dhe fqinjve në rajon: Shqiptarët po armatosen

Në një intervistë të dhënë mbrëmjen e sotme për një media serbe Aleksandar Vuçiç ka hedhur akuza ndaj Perëndimit dhe vendeve të rajonit se po shkatërrojnë Serbinë.

Sipas presidentit serb vendi i tij po shkatërrohet nga “ata që nuk duan të jetë e pavarur dhe e stabilizuar”.

Ai u shpreh se gazeta gjermane Frankfurter Algemann Zeitung ka shkruar se Vuçiç është i frymëzuar nga ajo që Azerbajxhani ka bërë në Nagorno-Karabakh, ndaj edhe po fuqizon ushtrinë, pretendim sipas tij i pabazuar në fakte.

Më tej ai u shpreh se për këtë veprimtari duhen para, që vijnë nga fuqitë e mëdha dhe vendet e rajoni që kanë interes destabilizimin e Serbisë.

Po ashtu ai tha se në terren shqiptarët po armatosen, ndërsa serbët po çarmatosen.

“Armatosja e shqiptarëve tashmë po bëhet, më së shumti po përdorin Turqinë. Serbët po çarmatosen”, tha Vuçiç.

“Ka vetëm një qëllim, përmbysja e Serbisë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës”, theksoi ai.