Zëdhënësi i BE-së heziton të thotë se Serbia po e shkel marrëveshjen

Nga Agustin Palokaj

Edhe pasi presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vendosur që vendi i tij të formojë një ekip të posaçëm për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, zëdhënësi i BE-së heziton të thotë se një sjellje e tillë e Beogradit shkel marrëveshjen për normalizimin e raporteve që, sipas BE-së, ishte arritur para më shumë se një viti.

Një artikull i asaj marrëveshje thotë qartë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Pasi BE-ja ka qenë ndërmjetësuese në arritjen e marrëveshjes, dhe insiston edhe sot se ajo është obliguese për palët në tërësi, duket e çuditshme pse BE-ja refuzon të konstatojë se Serbia po e shkel atë në rastin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës por vetëm japin përgjigje të përgjithshme që u adresohen të dyja palëve për zbatimin e marrëveshjeve.

“Nuk dua të hyj në komente të asaj se çfarë ka thënë dhe çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiq. Unë mund të përsëris se bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa tjera të nisin të implementojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe. Kur është fjala tek Këshilli i Evropës, çështjet e anëtarësimit i takojnë Këshillit të Evropës. Nëse ata dështojnë, apo nëse vazhdojnë të dështojnë në implementimin  e asaj për çfarë janë pajtuar, kjo do të ketë pasoja serioze. Këto pasoja janë të lidhura me integrimin e tyre në BE” ka thënë zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Peter Stano.

Pas dhjetë ditësh pritet që Asambleja e përgjithshme e Këshillit të Evropës të votoj për dhënien e pëlqimit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Për të kaluar ky vendim duhet dy të tretat e votave në këtë Asamble. Pastaj vendimin formal për të pranuar Kosovën e miratojnë Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare në takimin e tyre në muajin Maj duke vendosur po ashtu me shumicën prej dy të tretave. Serbia tash thotë se do të angazhohet për të “luftuar si asnjëherë më parë për të parandaluar këtë”.