Zgjedhjet në Malin e Zi/ “Forumi shqiptar” premton ndalimin e kumarit

Drejtuesi  i koalicionit “Forumi Shqiptar” në Mal te Zi, Nik Gjeloshaj po vazhdon takimet me qytetarët në çdo zonë ku flitet shqip. 

Ndalesa e radhës ishte në Anën e Malit, në Katerkollë, ku Gjeloshaj tha se këto zona me pasuri të mëdha natyrore kanë nevojë për investime në bujqësi, blegtori dhe industri. Ai tha se zgjidhja e vetme, është t’i besojnë votën shqiptareve, që e dëshmuan ndryshimin me punën e tyre në Tuz.

“Zhvillimi që është bërë për komunat shqiptare hapet në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Më 11 qershor, Forumi Shqiptar, numri 15, fitore e madhe për shqiptarët. Në 12, vazhdojmë me punë, të bashkuar sikurse jemi sot, për të zhvilluar zonat ku jetojnë shqiptarët”, shprehet Gjeloshaj.

Më shumë të rinj drejt shkollimit, artit e kulturës dhe larg veseve si lojërat e fatit, tha  ministri Marash Dukaj gjatë një takimi në Tuzi. I dyti në listën e “Forumit Shqiptar”, premtoi ndalimin e menjëhershëm të kompanive të basteve të cilat janë përhapur kudo, duke sjellë pasoja të rënda tek familjet e shqiptarëve dhe malazezëve.

“Bastet po vrasin të rinjtë. Forumi Shqiptar zotohet se do t’i mbyllë të gjitha. Ne do të sigurojmë vende punësimi dinjitoze për të rinjtë”, tha Dukaj.